Hapësire reklamuese

Politikë

Kreu i Laburistëve dha dorëheqjen se humbi besimin e partisë, Afrim Krasniqi: Po ne, si është e mundur që kemi gjithnjë politikanë që kapen me çdo kusht pas karriges dhe pushtetit?!

Shkruar nga Newsbomb
Kreu i Laburistëve dha dorëheqjen se humbi besimin e partisë,
Kryeministrat Edi Rama dhe Keir Starmer

Politologu i njohur Afrim Krasniqi bën një krahasim mes realitetit në Britaninë e Madhe, ku kryeministri Keir Starmer dha dorëheqjen për shkak se nuk kishte më mbështetjen e Partisë Laburiste të cilën e drejton, dhe aktualitetit politik në Tiranë, ku kryeministri Edi Rama refuzon të marrë përgjegjësi edhe pasi mijëra njerëz protestojnë prej 22 ditësh nën zyrën e tij.

Shkruan Afrim Krasniqi

Ja si funksionon politika në vende demokratike! Ka fituar zgjedhjet, solli rotacion politik, nuk pati skandale personale, kishte një projekt për Britaninë, por postet janë çështje besimi, legjitimiteti dhe integriteti. Dha dorëheqje në mes të mandatit, pa protesta presioni në rrugë, por me mosbesim nga brenda partisë së tij. Nuk akuzoi kritikët si të shitur dhe as si agjentë të huaj, nuk tha se ata po dëmtojmë vendin dhe as nuk i denigroi me turmën e mbështetësve, e cila në BM përbëhet nga qytetarë aksionerë në demokraci/përfaqësim, kurse te ne nga militantë patronazhistë.

Partia Socialiste në Shqipëri thotë se është parti laburiste dhe ka marrë prej saj statutin e njëjtë organizativ. Por te ne PS nuk ka debat, nuk ka konkurrencë, nuk ka politikë, ka vetëm një individ që vendos dhe të tjerë që miratojnë dhe shpërndajnë në media e publik porositë e tij. Pa argumente, pa sens përgjegjshmërie, pa integritet politik, pa transparence, pa llogaridhenie.

Dhe kryeministri, ndaj të cilit protestojnë mijëra qytetarë çdo ditë duke i kërkuar dorëheqjen, i zhytur në skandale, me bashkëpunëtorë në burg ose në kërkim ndërkombëtarë, duke keqperdorur shtetin personal në dispozicion, - kërcënon dhe denigron, - nuk jap dorëheqje, kam votat, kam patronazhistet, kam mandat +3 vjeçar, kjo është demokracia!!

Kështu thoshte Alia më 1991, Berisha më 1996, Nano më 1998, Meta më 2002. Kohë e humbur, por dihet fundi, dihen pasojat. Dhe me këtë rast, - e dini kur janë zhvilluar votimet e fundit për kryetar në PS? Në shtator 2009, 17 vjet më parë. Rasti i vetëm në historinë e partive politike europiane. 17-18 vjeçarët sot janë në protestë përballë tij.

Thelbi i pyetjes nga konteksti shqiptar? Si është e mundur që gjithnjë kemi individë në krye, të cilët humbin lidhjen me realitetin, kapen me çdo kusht ndaj karriges dhe pushtetit dhe marrin vend institucionet, politikën, median, hapësirën publike e gjithçka tjetër në përpjekje për mbijetesë personale? Si është e mundur që partitë kryesore veprojnë si trupa pa zë, pa formë, pa ndërgjegje, pa sensibilitet, pa sens përgjegjësie, pa ndjeshmëri ndaj qytetarëve, pa vizion për vendin dhe pa aftësi për të dalluar anën e duhur të historisë?!

Mesazhi/modeli britanik është përgjigja e duhur, shkurt dhe qartë, sesi një politikan i përgjegjshëm reagon, sesi një parti e përgjegjshme reagon, sesi deputetët (e zgjedhur) reagojnë, sesi një shoqëri e përgjegjshme reagon dhe sesi një sistem i përgjithshëm politik reagon.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese