Qindra qytetarë janë mbledhur sërish këtë mbrëmje para ambienteve të Kryeministrisë, në ditën e 23-të radhazi të protestës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, por edhe largimin nga skena politike të figurave që kanë dominuar jetën politike shqiptare për më shumë se tre dekada.
Ashtu si në ditët e mëparshme, protestuesit u grumbulluan fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe godinës së qeverisë. Me pankarta dhe flamuj në duar, qytetarët përsëritën thirrjet që tashmë janë bërë simbol i këtyre protestave: “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.
Protestat të cilat kanë hyrë në javën e katërt, janë shoqëruar me kërkesa për ndryshim të klasës politike që ka qeverisur vendin gjatë 35 viteve të fundit. Organizatorët dhe pjesëmarrësit shprehen se lëvizja qytetare nuk synon vetëm largimin e qeverisë aktuale, por edhe refuzimin e modelit politik të përfaqësuar nga figurat kryesore të tranzicionit shqiptar, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Një nga çështjet që shërbeu si katalizator për nisjen dhe zgjerimin e protestave, jo vetëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera të vendit, ishte investimi i planifikuar prej 4 miliardë dollarësh në zonën e Zvërnecit, projekt i cili ka ngjallur debate të shumta.
