Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi në Euronews foli në lidhje me protestën, gjendjen politike dhe kërkesat e protestuesve. Ai tha se PS është e hapur për dialog, por nuk pranon ultimatume si dorëheqje pasi ajo është zgjedhur nga populli dhe ka një mandat me 83 deputetë.
"Alternativat e protestuesve duhet të garojnë me kërkesat e Partisë Socialiste, por ata nuk kërkojnë negociatë.
Partia Socialiste është zgjedhur nga populli shqiptar edhe nuk është në ditën e fundit, janë të rinj që janë votuar, janë njerëz që kanë marrë votë popullore.", tha Blendi Klosi
Ai përmendi emra si zonja Koçeku dhe deputetja Sara Mila për të treguar se Partia Socialiste ka sjellë një brez të ri në politikë dhe pranoi se përfshirja e të rinjve ka “kosto”, por e sheh si një investim për të ardhmen.
"Sa i takon zonjës Koçeku, ne jemi 83 deputetë dhe donim të ishin në zonë të mbyllur shumë të rinj, kjo ishte që të kishim një prurje të re, si zonja Koçeku, unë kam pasur me të shumë afrimitet edhe e vlerësoja është një njeri që vjen nga puna. Kur pranon kaq shumë te rinj ka edhe kosto.
Ju sjell shembullin e deputetes Sara Mila, ajo ulet këtu ku jam unë edhe duket sikur ka kohë që është në politikë.", u shpreh ai.
Klosi thotë se heqja e Ligjit për Zonat e Mbrojtura do të ishte kthim 35 vite mbrapa, pra një regres i madh për mbrojtjen e territorit. Ligjin për investitorët strategjikë sheh si një instrument për zhvillim, gjithashtu edhe Paketa e Maleve ka qëllim që të nxisë investime dhe si rrjedhojë zhvillim ekonomik.
"Protestuesit të vijnë edhe të flasin edhe të diskutojnë, të kenë një ekspertizë. Ne e kemi diskutuar me partnerët e Bashkimit Evropian, të thuash që të refuzosh ligjin, ndoshta ata nuk kanë ekspertizën e duhur por ky ligj sjell një mbrojtje për territorin shqiptar. Të heqësh ligjin për zonat e mbrojtura është të kthehesh 35 vite mbrapa.
Ligji për investitorët strategjik, nuk realizohet. Ata e kërkojnë dorëheqjen por kjo nuk do të thotë që kjo do të ndodhë. Paketa e Maleve është nxitje për investime dhe për zhvillimin e vendit.", tha Klosi.
