Disa ditë pasi SPAK njoftoi megaoperacionin ku u godit një nga grupet më të fuqishme të drogës, detaje të reja kanë dalë në dritë. Në këtë grup bënin pjesë emra të njohur të krimit si Dritan Gjika, Eldi Dizdari, Salvatore Aliu etj.
Për Eldi Dizdarin, sjellja e 10 tonëve kokanë nga Amerika Latinë në Europë, nuk ishin asgjë. Gjatë komunikeve në Sky ECC, Dizdari i thotë furnizuesit kryesor me drogë Salvatore Aliu, se skemën e ka gati, tregun gjithashtu, por ka vetëm një problem. Sipas tij, çantat me kokainë të mos jenë mbi 45-50 kg.
“Për Zotin kanë frikë po thyhen në mes, se ankohen gjithmonë. Po ngecin aty. Po u bje të fikët kot, haahahaahahah. Madje nuk kanë mundësi as të shkruajnë sms pas shkarkesave, pasi janë të mpirë”, thuhet në komunikimet në SKY ECC.
Ndërsa Aliu i përgjigjet se do shikojë t’i bëjë 50 kg dhe nuk nguron të shprehet se kjo gjë i jep adrenaline, shkruan Syri TV. Po ashtu Salvatore Aliu i thotë Dizdarit se arsyeja pse çantat bëhen të mëdha apo të rënda, është pasi pagesa në nisje bëhet në bazë të numrit të çantave që ngarkohen në konteniere.
SPAK njoftoi disa ditë më parë aksionin ku u godit grupi kriminal, ku u lëshuan 10 masa sigurie. Nga hetimet rezulton se gjatë viteve 2019-2021 grupi kriminal ka shtrirë aktivitetin e tij në Brazil, Belgjikë, Holandë, Ekuador dhe vende të tjera, ndërsa dyshohet se ka trafikuar të paktën 50 ton kokainë drejt tregjeve europiane.
SPAK bëri me dije se gjatë hetimeve janë dokumentuar pesë episode të mëdha të trafikimit ndërkombëtar të kokainës, ku në total janë sekuestruar afro 9 ton lëndë narkotike. Mes tyre spikasin ngarkesa prej 4.1 tonësh kokainë në portin e Roterdamit, mbi 2 ton në Ekuador, si dhe sasi të tjera të konsiderueshme të kapura në Belgjikë, Holandë dhe Kolumbi.
Sipas prokurorëve të posaçëm, fitimet e siguruara nga trafiku i drogës janë transferuar më pas në Shqipëri dhe janë investuar në kompani ndërtimi, hoteleri, pasuri të paluajtshme dhe aktivitete të tjera tregtare me qëllim fshehjen e origjinës së tyre kriminale.
Në kuadër të operacionit është urdhëruar një nga sekuestrimet më të mëdha pasurore të viteve të fundit. Me vendim të Gjykatës së Posaçme janë vendosur nën sekuestro preventive plot 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal i grupit.
Bëhet fjalë për dhjetëra kompani, qindra prona, vila luksoze, apartamente, njësi tregtare, hotele, toka, automjete, mjete lundruese dhe 209 llogari bankare. Mes pasurive të sekuestruara përfshihen prona në Tiranë, Durrës, Gjirin e Lalzit, Himarë, Sarandë, Shkodër, Lezhë dhe qytete të tjera të vendit.
Ndër asetet më të rëndësishme të vendosura nën sekuestro janë dhjetëra vila dhe apartamente në komplekse elitare, struktura hotelerie në zonat turistike të bregdetit, si dhe objekte me vlerë të lartë në kryeqytet.
Sipas SPAK, vlera paraprake e pasurive të sekuestruara llogaritet rreth 150 milionë euro, ndërsa verifikimet vijojnë për përcaktimin e vlerës së saktë të tyre.
