Tirana International Airport (TIA) mirëpriti sot fluturimin inaugurues të FlyOne Armenia, duke shënuar nisjen e një partneriteti të ri dhe rikthimin e lidhjes direkte mes Shqipërisë dhe Armenisë.
Linja e re do të operojë dy herë në javë, çdo të hënë dhe të enjte, duke ofruar më shumë mundësi udhëtimi për pasagjerët që lëvizin mes dy vendeve, si për qëllime turistike ashtu edhe biznesi.
Yerevani, kryeqyteti i Armenisë, rikthehet kështu në hartën e destinacioneve të aksesueshme direkt nga Tirana, duke forcuar më tej lidhjet rajonale dhe duke zgjeruar rrjetin ndërkombëtar të aeroportit.
FlyOne Armenia, pjesë e grupit ajror FlyOne, është një nga linjat ajrore me rritjen më të shpejtë në rajon. E njohur për rrjetin e saj në zgjerim dhe angazhimin për të ofruar udhëtime cilësore dhe të përballueshme, kompania vazhdon të zgjerojë praninë e saj në tregjet evropiane dhe të krijojë lidhje të reja ndërkombëtare.
“Jemi të lumtur të mirëpresim FlyOne Armenia në TIA dhe të shohim rikthimin e Yerevanit si destinacion direkt nga Tirana. Çdo linjë e re kontribuon në forcimin e lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë dhe krijon mundësi të reja për pasagjerët tanë,” u shpreh Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza".
“Nisja e fluturimeve direkte mes Jerevanit dhe Tiranës përbën një moment të rëndësishëm në zgjerimin e vazhdueshëm të rrjetit të destinacioneve të FLYONE ARMENIA. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse për udhëtarët armenë, duke kombinuar një kulturë të pasur, natyrë të mrekullueshme, mikpritje të ngrohtë dhe potencial të madh turistik. Jemi të lumtur t’u ofrojmë pasagjerëve tanë një mundësi të re dhe të përshtatshme për të zbuluar këtë vend unik, duke forcuar njëkohësisht lidhjet ajrore mes Armenisë dhe rajonit të Ballkanit,” tha Hayk Hakobyan, Drejtor Komercial i FLYONE ARMENIA.
Me këtë shtesë të re në rrjetin e saj, TIA vazhdon të zgjerojë ofertën e destinacioneve dhe të forcojë rolin e saj si porta kryesore ajrore e Shqipërisë drejt rajonit dhe botës.
