
Në një atmosferë miqësore dhe të mbushur me frymën e bashkëpunimit, Bashkia Roskovec mirëpriti delegacionin e Bashkisë Letychiv nga Ukraina, duke shënuar nisjen e një vizite të rëndësishme në kuadër të programit të shkëmbimit të përvojave dhe forcimit të partneritetit ndërmjet pushteteve vendore.
Vizita nisi me pritjen zyrtare në zyrën e Kryetares së Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, dhe vijoi me një takim të zgjeruar ku morën pjesë drejtues vendorë, përfaqësues institucionesh, partnerë ndërkombëtarë dhe anëtarë të delegacionit ukrainas.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Bufi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar atë si një investim të çmuar në ndërtimin e urave të reja të mirëkuptimit, zhvillimit dhe partneritetit afatgjatë.
“Si një bashki me karakter rural, synimi ynë mbetet përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve. Kemi punuar intensivisht për t’iu afruar standardeve europiane të qeverisjes vendore dhe mbetemi të hapur ndaj çdo bashkëpunimi që sjell zhvillim dhe progres”, u shpreh Majlinda Bufi.
Një moment i veçantë i takimit ishte pjesëmarrja e Ambasadorit të Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, i cili falënderoi Shqipërinë dhe veçanërisht komunitetin e Roskovecit për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar ndaj popullit ukrainas gjatë viteve të luftës.
Ambasadori vlerësoi gjithashtu avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve, duke përmendur marrëveshjet e reja në fushën e transportit rrugor dhe diskutimet për bashkëpunim në tregtinë e lirë dhe shmangien e tatimit të dyfishtë.
“Takime si ky dëshmojnë rrugën e suksesshme që Shqipëria po ndjek drejt integrimit europian. Bashkëpunimi mes institucioneve vendore krijon mundësi reale zhvillimi dhe afron më shumë popujt tanë”, deklaroi ai.
Me emocion u prit edhe fjala e Kryetarit të Bashkisë Letychiv, Ihor Tysiachnyi, i cili shprehu mirënjohjen për mikpritjen e Roskovecit dhe gatishmërinë për të ndërtuar projekte konkrete bashkëpunimi në bujqësi, kulturë, arsim dhe teknologji.
Ai theksoi se Ukraina vazhdon të investojë në zhvillim dhe inovacion pavarësisht sfidave të luftës, ndërsa një pjesë prekëse e fjalës së tij lidhej me faktin se shumë familjarë të anëtarëve të delegacionit ndodhen aktualisht në front, duke e bërë praninë e tyre në Roskovec një simbol të besimit tek partneriteti dhe shpresa për të ardhmen.
Takimi vijoi me përshëndetjet e drejtuesve të organizatave ndërkombëtare dhe kombëtare të qeverisjes vendore, të cilët vlerësuan rolin aktiv të Bashkisë Roskovec në rrjetet e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndarjen e praktikave të suksesshme të administrimit lokal.
Një prezantim i detajuar i strukturës dhe prioriteteve të Bashkisë Roskovec u bë nga Sekretarja e Përgjithshme, Delina Hoxha, e cila evidentoi sfidat dhe arritjet e institucionit, si dhe qëndrueshmërinë financiare që sigurohet në masë të konsiderueshme nga të ardhurat vendore.
Ndërkohë, Drejtori i Zhvillimit Bujqësor, Viktor Kola, prezantoi potencialin e jashtëzakonshëm bujqësor të zonës, zhvillimin e serave moderne, sektorin e blegtorisë dhe investimet në sistemet e ujitjes, duke e cilësuar bujqësinë si motorin kryesor të ekonomisë lokale.
Interes të veçantë ngjallën projektet inovative të Bashkisë Roskovec në energjinë e rinovueshme. Kryetarja Bufi prezantoi investimin në Stacionin e Pompimit Arapaj–Matkë dhe përdorimin e paneleve fotovoltaike, një model që ka ulur ndjeshëm kostot e ujitjes për fermerët dhe ka rritur efikasitetin e sistemit.
Investimi prej rreth 70 milionë lekësh ka mundësuar rehabilitimin e rrjetit ujitës dhe krijimin e një sistemi modern pompimi, me synimin afatgjatë për të garantuar ujitje me kosto energjie zero për fermerët e zonës.
Në përfundim të ditës së parë, Kryetarja Majlinda Bufi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për angazhimin dhe kontributin e tyre, duke nënvizuar se kjo vizitë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve mes Roskovecit dhe Letychiv.
Vizita do të vijojë me takime tematike, vizita në terren dhe prezantime të praktikave më të mira të zhvillimit lokal, duke krijuar bazat për një partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë në shërbim të qytetarëve të të dy komuniteteve.
