
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar për ngjarjen tragjike të ndodhur në Maqedoninë e Veriut ku humbën jetën 59 persona dhe u plagosën 155 të tjerë pas zjarrit që shpërtheu mëngjesin e sotëm në Pulse Club.
Berisha i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimave si dhe solidarizohet me autoritetet lokale dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut. Berisha gjithashtu i uron shërim të shpejtë personave të plagosur nga kjo ngjarje.
Statusi i Berishës
"Një tragjedi e rëndë në Maqedoninë e Veriut
Miq, një tragjedi e rëndë ka ndodhur në vendin mik.
Në një diskotekë në qytetin Koçan, Maqedonia e Veriut, 59 të rinj, të moshave 14-25 vjeç, humbën jetën tragjikisht nga zjarri, ndërsa 155 të tjerë pësuan djegie të shkallëve të ndryshme dhe helmim nga monoksidi i karbonit. Ndër ta, 18 janë në gjendje të rëndë.
Me këtë rast, shpreh ngushëllimet më të ndjera të mia dhe të Partisë Demokratike për familjet e viktimave, si dhe solidaritetin tonë me autoritetet lokale dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu, lutemi për një shërim sa më të shpejtë dhe të plotë të të plagosurve në këtë tragjedi të tmerrshme. #sb"