
BBC ka raportuar ngjarjen tragjike të ndodhur mëngjesin e sotëm në Maqedoninë e Veriut, ku 59 persona humbën jetën dhe 155 të tjerë mbetën të plagosur nga zjarri që shpërtheu në "Pulse Club".
Zjarri shpërtheu rreth orës 03:00 të mëngjesit për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike. Mosha e viktimave është 15-25 vjeç ndërsa mes të vdekurve janë një efektiv policie dhe drejtori i Qendrës Kulturore.
Në BBC raportohet se për katër persona janë lëshuar urdhër-arreste teksa citohet Ministri i Brendshëm Pançe Toskovski.
Kryeministri Hristijan Mickoski e quajti një "ditë të vështirë dhe shumë të trishtuar" për vendin që kishte humbur shumë "jetë të reja".
Sipas mediave pronari i Club-it është vënë në pranga nga autoritetet vendase. Qeveria në Maqedoninë e Veriut pritet të shpallë 7 ditë zie kombëtare ndërsa kanë nisur hetimet për zgjarjen.
Lidhur me ngjarjen kanë reaguar politikanë nga vende të ndryshme si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, etj.
Si ndodhi tragjedia?
Teksa një grup muzikor performonte, mjetet piroteknike të vendosura në skenë shkaktuan zjarr në tavanin i cili përbëhej nga lëndë lehtësisht të ndezshme.
Club-i ishte plot me njerëz në momentin që u shkaktua zjarri dhe të gjithë nisën të vraponin. Fatkeqësisht disa prej tyre nuk arritën të dilnin.
Kjo ngjarje u kthye në një tragjedi. 59 persona humbën jetën, disa prej tyre rrugës për në spital ndërsa 155 të tjerë janë të plagosur dhe po marrin ndihmë mjekësore.