Kompania celulare "ONE Albania" është duke parë një firo të abonentëve të saj, pas ditësh e muajsh me probleme të rënda në funksionimin e sistemit operativ dhe rrjedhimisht shërbimit ndaj qytetarëve. Faturimet e tepërta edhe kur nuk shërbimi nuk ofrohet, kanë bërë që abonentët të largohen.
Dy kompanitë që kaluan në pronësi të 4iG International, One Albania dhe Albtelekom, kishin lajmëruar qytetarët se më datë 1 Prill 2023 do të bashkoheshin dhe të gjithë abonentët që ishin pjesë e Albtelekom, do të kalonin automatikisht në ONE Albania.
Siç ka raportuar ditët e fundit Newsbomb.al, ky proces ka dështuar dhe abonentët kanë mbetur pa shërbim për orë të tëra. I ashtuquajturi “proces i unifikimit” nuk është realizuar për shkak të problemeve që nuk janë përballuar dot nga sistemi operativ indian “BOSS”.
Edhe pas një jave nga tentativa për bashkim të operatorëve dhe bartjen e abonentëve në një sistem dhe numër të vetëm, situata ende nuk është përmirësuar. Kompania ka lënë një afat të dytë, datën 8 Prill, për të riprovuar unifikimin e rrjetit.
Për situatën e krijuar ka reaguar sot dhe Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), i cili thotë se është informuar nga operatori One Albania sh.a. për procesin teknik të migrimit të numrave celularë nga rrjeti i Albtelecom në rrjetin e sipërmarrësit One Albania.
Por, njoftimi në fjalë i Autoritetit lidhet me procesin e datës 1 Prill, jo problematikat e mëpasshme dhe tentativën që do të kryhet përsëri nesër, më datë 8 Prill.