Newsbomb.al i ka dhënë dje zë shqetësimit të dy gazetarëve të njohur, Klodian Tomorri e Enrik Mehmeti, për problematikat që ata kishin hasur me kompaninë celulare "ONE Albania". Menjëherë pas pasqyrimit të këtij rasti, qindra denoncime të ngjashme kanë mbërritur në redaksinë tonë.
Ekspertë të telekomunikacionit thonë se "ONE Albania" është kthyer në rrezik për Sigurinë Kombëtare të Shqipërisë, pasi ka në dorë të dhënat e më shumë se 1 milion abonentëve dhe i ka shpërdoruar ato duke i lënë pa shërbim. Kjo, pasi kompania që është futur në treg me një imazh të ri, por me një sistem operativ jofunksional.
Newsbomb.al mëson se "ONE Albania" ka vendosur muaj më parë të largojë sistemin operativ gjerman që përdorte dhe ka instaluar një sistem indian. Bëhet fjalë për "Bharat Operating System Solutions", i njohur si "BOSS", një sistem i dështuar që prej muajsh ka futur në kolaps kompaninë celulare.
Qytetarët dhe abonentët e "ONE Albania" enden prej muajsh në dyert e dyqaneve por nuk kanë mundur të marrin zgjidhje për faturimet, kontratat, ofertat roaming dhe shërbimin e internetit në shtëpi. Duke qenë se sistemi operativ ka dështuar, edhe këto shërbime nuk janë marrë në kohë.
Për shkak të mosfunksionimit të sistemit operativ indian, kompania celulare ka dështuar të përfundojë dhe procesin e bashkimit me kompaninë tjetër "Albtelekom". Siç shihet në mesazhin e mëposhtëm, abonentët janë njoftuar për dështimin e procesit të "unifikimit" dhe u kërkohet ndjesë për "shqetësimet" që u ka shkaktuar ky proces.
Mesazhi qe u eshte derguar abonenteve te "ONE Albania" me 1 Prill 2023
Më datë 1 Prill 2023 kur ishte lajmëruar se do të kryhej automatikisht procesi i kalimit të gjithë abonentëve të "Albtelekom" në rrjetin e ri të "ONE Albania", shërbimi është ndërprerë për të paktën 7 orë dhe në përfundim bashkimi i dy kompanive ka dështuar. Shkak është bërë pikërisht ajo që ne parashtruam më sipër, vendimi për të instaluar një sistem operativ indian.
Kjo ka shqetësuar dhe ekspertët e telekomunikacionit, të cilët thonë se është e papranushme që një kompani celulare që ka në dorë numrat dhe të dhënat e më shumë se 1 milion shqiptarëve të vendosë të instalojë një sistem të dështuar operativ siç është ai indian BOSS. Kjo, thonë ata, cënon rëndë sigurinë kombëtare, pasi Shqipëria është një vend i NATO-s dhe nuk mund të largohet nga sistemet perëndimore, për të përqafuar që nuk kanë sukses e as përvojë në fushën e telekomunikacionit.
https://newsbomb.al/skandali-me-kompanine-one-gazetari-me-kerkojne-200-euro-per-nje-numer-qe-nuk-e-kam-aktivizuar-e-as-perdorur-kolegu-mua-refuzojne-te-me-mbyllin-kontraten/