Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Kulture & Art

Politika dhe arti në zi për ikjen e Ismail Kadare, u shua gjeniu i letrave shqipe

Shkruar nga Newsbomb
Politika dhe arti në zi për ikjen e Ismail Kadare, u shua gjeniu i
Ilustrim i Ismail Kadaresë në Gjirokastër © RICCARDO VECCHIO

Ismail Kadare nuk jeton më. Shkrimtari i madh shqiptar u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare, në shtëpinë e tij në Tiranë, pas një arresti kardiak. Kadare u dërgua me urgjencë në Spitalin  "Nënë Tereza", por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, zemra e tij kishte ndalur.

Ikja e tij e papritur ka shkaktuar dhimbje e trishtim të madh, te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që të paktën një herë në jetë janë përhumbur në magjinë e librave të tij.

Ismail Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popullor (1970-’82), zv/kryetar i Frontit Demokratik dhe një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë.

Reagime nga politika për Ismail Kadare

Bajram Begaj

"Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!"

Edi Rama

"Sapo mësova lajmin e trishtueshëm të largimit nga mesi ynë të monumentit më të madh të kulturës shqiptare, i cili tanimë u ngjit në piedestalin e përjetësisë dhe asnjë fjalë s’më vjen në këtë moment, po vetëm ideja e ribotimit të këtij mesazhi të publikuar për ditëlindjen e tij."

Lindita Nikolla

"Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror."

Ilir Meta

"Kombi shqiptar humbi sot gjeniun e madh të letrave dhe shprehësin më të jashtëzakonshëm të fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës tonë krijuese, që si askush tjetër u dha atyre përmasa botërore, duke na bërë krenarë të gjithëve. Ismail Kadare ishte për shqiptarët një dritë shprese në një nga periudhat më të errëta të vendit, zëri universal kundër totalitarizmit, një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, që me kryeveprat letrare të lëna trashëgim do t’i jemi mirënjohës përjetë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes së dashur Kadare, komunitetit të shkrimtarëve e publicistëve dhe mbarë kombit shqiptar për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme!"

Niko Peleshi

"Shqipëria mban sot zi për vdekjen e shkrimtarit të saj me famë botërore Ismail Kadare. Madhështia e veprës monumentale të Kadaresë, i bën befas të pamjaftueshme e të papërshtatshme të gjitha krahasimet për të përshkruar domethënien e trashëgimisë që ai i la Shqipërisë.

Si shkrimtar i një epoke të vështirë, Kadare do të mbetet përfaqësuesi i një gjenerate krijuesish të talentuar, prodhimtarë e patriotë që i dhanë lëndë etjes sonë kombëtare për emancipim, qytetërim e modernizim. Kadareja i përket Shqipërisë dhe Shqipëria pa Kadarenë nga sot është më e vogël, më e varfër e më e zbrazët."

Erion Veliaj

"Shumë i trishtuar nga lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare - një prej mendjeve më të ndritura të letërsisë shqiptare dhe botërore. Kadareja la pas një trashëgimi të pashlyeshme të letrave, kulturës dhe historisë sonë, e do të vijojë të rrezatojë po aq fuqishëm në mendjen e lexuesve të letërsisë së tij brilante. Ngushëllime të sinqerta Helenës dhe familjes për këtë humbje të madhe. Pusho në paqe, i dashur Ismail."

Sali Berisha

"Dielli perëndoi përgjithmonë për gjeniun botëror të letrave, Ismail Kadare. Të dashur miq, sot mort, zi dhe dhimbje për mbarë kombin shqiptar. Ismail Kadare, gjeniu botëror i letrave shqipe, dhe njërit prej shkrimtarëve më të mëdhenj të kohës, mbylli sytë përgjithmonë për të mbetur për jetë i pavdekshëm në olimpin e veprave të tij.

Laureat i çmimeve me prestigjoze të letrave si Man Booker, Prince des Asturies, Jerusalem Prize, veprat e Ismail Kadares u përkthyen në rreth 45 gjuhë të botës.

Në kohërat më të errëta të regjimit hoxhist kur me një varg apo poezi mund të hapje varrin tënd, me gjithë konformizmin që kishte si alternativen me te mire burgun dhe internimin, Ismail Kadare arriti të dalë nga shtrati i Prokrustit me vepra si “Pallati i Ëndrrave” etj për të cilat regjimi e censuroi për vite të tëra. Në vitin ‘90 Ismail Kadare ishte një avokat i lirive dhe të drejtave të njeriut dhe hapjes së Shqipërisë. Ai pas largimit nga Shqipëria, nga mërgimi në Paris mbështeti Lëvizjen Studentore dhe Revolucionin Demokratik që përmbysi diktaturën komuniste në Shqipëri.

Duke u përulur me nderimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë para kujtimit dhe veprës të ndritur të Ismail Kadares, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së tij të nderuar miqve, të afërmëve dhe lutem së bashku me ta që shiprti i madh i tij të prehet në paqen e merituar."

Flutura Açka

"Shuhet Ismail Kadare, gjeniu i letrave shqipe. Sot në mëngjes është ndarë nga jeta burri i madh i letrave shqipe, një nga shkrimtarët më tē mëdhenj europianë e botërorë, me veprën e botuar në mbi dyzet gjuhë tē botës, shkrimtari i alegorisë ndaj diktaturës mu në zemër të saj, shkrimtari shkollës së tij letrare.

Qofsh i parajsës, Mjeshtër! Në emrin tim personal dhe në emër të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, i përcjellim ngushëllime të thella familjes Kadare. zonjës Helena Kadare, të bijave të shkrimtarit, botuesit të tij në gjihën shqipe, të afërmve e të njohurve, kolegëve shkrimtarë dhe miqve e lexuesve të shumtë të tij."

Taulant Balla

"Sa shumë herë na ka rënë rasti të takojmë të huaj kudo në glob dhe kur i jemi prezantuar se vij nga Shqipëria të na thonë: “ah qenkeni nga vendi i Ismail Kadaresë”. Kolosi i letërsisë botërore u nda sot nga ne vetëm fizikisht, ndërsa emri i tij dhe i Shqipërisë sonë do të jenë bashkë përgjithmonë. Mirënjohje Ambasadorit të përjetshëm të Shqipërisë. Nuk do ta harroj kurrë mesazhin e fundit të para pak ditësh prej tij, me disa rreshta por me shumë mësime brenda. Kishim lënë të takoheshim për një kafe për ta vijuar atë mesazh."

Armand Duka

"Ismail Kadare, një humbje e madhe për Shqipërinë!  E trishtë të mësosh që Ismail Kadare nuk jeton më. Vendi ynë ka humbur një shkrimtar të madh, një kolos të letrave, i cili e bëri Shqipërinë të njohur anembanë botës.

Kadare ikën, por i lë vendit tonë dhe gjithë botës një trashëgimi të madhe kulturore, kryevepra letrare të përkthyera në 45 gjuhë të ndryshme. Ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, të afërmit dhe miqtë e Kadaresë, të cilët do ta ndjejnë shumë mungesën e tij. U prehsh në paqe Ismail Kadare!"

Gent Sejko

"Sot është një ditë e trishtë! Mëngjesin e sotëm, u nda nga jeta, kolosi i letrave shqipe, Ismail Kadare. Gjeniali i mendimit shqip, la pas pasaportën më të bukur të një kombi “Përbotëzimin e përjetësimin e kulturës së kombit shqiptar”. Ngushëllime familjes! I qoftë dheu i lehtë!"

Igli Hasani

"Trishtim për humbjen e Ismail Kadaresë, një figurë monumentale në letërsinë shqiptare dhe evropiane. Shkëlqimi i tij letrar i kapërceu kufijtë, duke formësuar thellësisht kuptimin e historisë dhe trashëgimisë së Shqipërisë. Veprat e tij magjepsën miliona lexues në mbarë botën, duke e cilësuar padyshim si shkrimtarin më të madh dhe më me ndikim shqiptar të kohës sonë.

Në atdhe, kryeveprat e Kadaresë kanë qenë shoqërues të vazhdueshëm për breza, duke shërbyer si fener shprese dhe krenarie në kohëra të errëta dhe më të ndritshme. Mendimi dhe urtësia e tij intelektuale shërbyen si drita udhëzuese, gjithmonë drejt përparimit dhe emancipimit. Një shqiptar i madh, një kolos i Ballkanit, një evropian i dalluar! Trashëgimia e tij do të vazhdojë të na frymëzojë dhe të na lidhë të gjithëve. Pusho në paqe!"

Lulzim Basha

"Ndarja nga jeta e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, është një lajm i trishtë për kulturën dhe kombin shqiptar. Patriarku i letrave shqipe, ambasadori i kulturës shqiptare në botë, shkrimtari që mbajti gjallë vetëdijen dhe shijen letrare për gati gjysmë shekulli, mbylli sytë përgjithmonë për të fituar pavdekësinë në altarin e letërsisë dhe kulturës së përbotshme.

Me veprën e tij letrare, me shumëllojshmërinë e zhanreve dhe universin e temave, Kadare është krenaria e kulturës kombëtare dhe përfaqësuesi më i denjë i letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Me largimin e tij nga kjo botë, kultura dhe letërsia ka humbur një zë origjinal të jashtëzakonshëm, kombi ka humbur një mbrojtës të flaktë të identitetit kombëtar, familja dhe të afërmit njeriun e dashur, miqtë dhe kolegët  mikun e tyre të pazëvendësueshëm. Në këtë ditë të trishtë, jam pranë familjes dhe të afërmve me lutjet për paqe të merituar dhe amshim të paharruar! Le të prehet i qetë, shkrimtari ynë i madh!"

Jorida Tabaku

"Një ditë e trishtë kjo e sotmja. Një ditë e trishtë kjo e gjuhës shqipe ndërsa prej botës sonë largohet një gjigand i letërsisë shqiptare që në kohë të errëta ishte një dritare shprese për shumë shqiptarë. Ndërsa në kohët e një demokracie të turbullt ishte njeriu që preku zemrat dhe emocionet e një brezi të trazuar nga një botë e re.

Një kristal i dy kohëve të turbullta që tejkaloi kufijtë e hekurt të një bote të ndarë në kampe. Një shpirt në luftë që u përpoq t’i ofronte qetësinë një shoqërie në kaos.

Në s'gjetsha hon ku të të hedh

Të gjej një fushë a një lulnajë

Ku butësisht porsi polen

Gjithkund, gjithkund të të shpërndaj.

U prehsh në paqe gjigandi jonë! Trashëgimia jote në prozë e poezi do të vazhdojë të trashëgohet brez pas brezi."

Blendi Gonxhe

"Lajm i trishtë ndarja nga jeta e të madhit Ismail Kadare! Gjeni i letrave, një figurë madhore e letërsisë shqiptare që bëri jehonë përtej kufijve e anembanë duke na përfaqësuar denjësisht! Ismail Kadare do të mbetet gjithmonë një testament i pasionit dhe talentit të pashoq, vlerë e trashëgimi e pasur kulturore që përmes rreshtave të tij do jetojë ndër breza! Ngushëllimet më të sinqerta për familjen! U prehsh në paqe, mjeshtër i madh!"

Albana Koçiu

"Ndarja nga jeta e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe të afërmit e tij, por edhe për të gjithë shqiptarët dhe botën e letërsisë. Kadareja ishte një ikonë e letërsisë shqiptare dhe ndërkombëtare, një zë i fuqishëm që artin e të shkruarit e shndërroi në një forcë jete duke na lënë një pasuri të paçmueshme me veprat e  tij të jashtëzakonshme. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i gjallë me trashëgiminë e pasur letrare që do të vazhdojë të frymëzojë breza të tërë."

Agron Shehaj

"Shqipëria humbi shkrimtarin më të madh të kohëve moderne. Si askush më parë, Ismail Kadare zbuloi kulturën shqiptare në dhjetëra gjuhë të botës. Përmes talentit dhe punës së madhe emancipoi shoqërinë shqiptare në momentet më të vështira të saj. Nderimi për Ismail Kadarenë do jetë i përjetshëm!"

Reagime nga bota e artit

Rita Filipi

"Lamtumirë mjeshtër! Prehu i qetë në parajsat e zotave të letërsisë! Pasi të mbarojnë ditët e zisë, nuk do ta kuptojmë se Ti nuk do të jesh më mes nesh. Aq i pranishëm do të vazhdosh të jesh në bibliotekat e shtëpive tona, nëpër librari, në panaire librash, në literaturën apo kritikën shqiptare e botërore, në tekstet shkollore, në bisedat tona të përditshme. Ca do të përpiqen të të futin nën dhe e ca  do të të ngrenë në qiell; mes tyre do të mbetet vepra jote si një gur i rëndë në vend të vet."

Shaban Murati

"Iku ne perjetesine e lavdishme dhe ne lavdine e perjeteshme  gjeniu i letrave shqipe, shkrimtari me i madh shqiptar i te gjitha kohrave dhe nje nga shkrimtaret me te medhej nderkombetrare, i paperseriteshmi dhe i paarriteshmi Ismail Kadare! I nderuar, qe e kam pasur mik me dekada! Nje kujtim i bukur pas nje darke me Ismailin dhe Helenen."

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese