Hapësire reklamuese

Politikë

“Kanë votuar nga 5 herë”, juristi i PD nxjerr dokumentin: Numëruesi i PS erdhi nga Greqia dhe duhet të qendronte 2 javë karantinë (EMRI)

Shkruar nga Newsbomb

Juristi pranë PD-së, Marash Logu ka publikuar dokumentet, në të cilat dhe KQZ pretendon se ka pasur shkelje dhe parregullsi gjatë zgjedhjeve. në Gjirokastër 14 persona kanë votuar 74 herë, në Berat 21 persona kanë votuar 57 herë.

Ndërkohë ai publikon dhe foto-dokumentin ku në KZAZ nr82 në Gjirokastër, është emëruar numërues i parë z.Andrea Karameno, i cili thuhet se ka hyrë në vendin tonë pas datës 19 prill, kur ishte marrë vendimi për karantinë 2 javore për shtetasit që hyjnë nga Greqia apo Maqedonia e Veriut.

Ai thotë se beteja e PD nuk do të ndalet deri në zbardhjen e plotë të asaj që ai dhe kampi blu e cilësojnë se “vjedhja më e madhe të shqiptarëve në historinë e zgjedhjeve”.

Shënimi i plotë i Marash Logut

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS), me kërkesë të dy anëtarëve Z. Braho dhe Z. Cefa, pranoi të merrte vetëm tre prova. Konkretisht:

• Në foton e parë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Gjirokastër. Aty rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili.

• Në foton e dytë kemi të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Berat, nga ku rezulton se shenjat e gishtërinjve të 21 personave janë përdorur për identifikimin e 57 zgjedhësve ose 21 persona kanë votuar 57 herë, ose rreth 3 herë/secili.

• Në foton e tretë kemi vendimin e KZAZ Nr. 82, qarku Gjirokastër për emërimin e anëtarëve të Grupit të Numërimit Nr. 4. Numërues i parë është shtetasi Thanos Andrea Karameno (PS). Ky shtetas rezulton se është futur në Shqipëri nga Greqia, pas datës 19 prill kur u vendos karantinimi 2-javor i personave që vinin nga Greqia dhe Maqedonia.

Vetëm me tre prova të thjeshta, faktohen mbi 100 shkelje flagrante të ligjit. Merreni me mend se sa shkelje të rënda do të zbardheshin, nëse KAS-i, nuk do të sillej si shërbëtor i Edi Ramës dy herë rradhazi, por do të pranonte 19 kërkesat tona për marrje provash. Sepse ata e dinë që po i morën provat, do të faktohet para të gjithë shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë masakra zgjedhore e 25 prillit.

Megjithatë, ne nuk do të ndalemi. Beteja jonë do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të vjedhjes më të madhe të shqiptarëve në historinë e zgjedhjeve.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese