Kryetari i Partisë Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për shfuqizimin e aktit normativ të Qeverisë Shqiptare, për mbështetjen me 4 miliardë lekë për bileta për koncertin e Kanye West.
Në një deklaratë për mediat, ai ka deklaruar se gjyqtarët duhet të shfuqizojnë si të papajtueshëm me Kushtetutën këtë akt normativ, sepse ai nuk plotëson dy kushtet kryesore të miratimit të tij, Urgjencën dhe Nevojën.
"Një akt Normativ që bie ndesh me nenin 101 të Kushtetutës, i cili për aktet normative kërkon domosdoshmërisht plotësimin e dy kushteve; Nevoja dhe Urgjenca. Akti Normativ për pagimin e 400 milionë lekëve të reja ndaj një koncerti privat të një kompanie private, është një akt që nuk arsyeton nevojën dhe as urgjencën", u shpreh Adriatik Lapaj.
Kreu i Partisë Shqipëria Bëhet, theksoi se fondet që janë lëshuar nga Qeveria duhet të pezullohen, pavarësisht se ai dyshon se ato tashmë janë disbursuar.
"I kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese të pezullojë çdo veprim për të bërë pagesat, edhe pse kam përshtypjen se këta i kanë bërë pagesat. Së dyti, kemi kërkuar shfuqizimin e këtij akti si në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë”, u shpreh Adriatik Lapaj.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar të gjithë banorët e Tiranës dhe zonave përreth, se ditën e shtunë do të ketë kufizim të qarkullimit në zonën e njohur si rrethrrotullimi i Casa Italias, Institutit, Astirit dhe rrugës dytësore.

