Kryeministri Edi Rama hapi fjalën e tij në prezantimin e programit "Rilindja Urbane 2.0" me një episod, që sipas tij shpjegon më së miri ndryshimin e pritshmërive të qytetarëve pas transformimeve të viteve të fundit.
Duke rrëfyer bisedën me një prej kryebashkiakëve, i cili ishte përballur me protesta nga banorët e një lagjeje ku ishin kryer investime, Rama u ndal te dallimi mes "mosmirënjohjes" dhe "pritshmërisë", duke theksuar se reagime të tilla janë shenjë e një stadit të ri zhvillimi.
"Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon dhe kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera", u shpreh kreu i qeverisë, ndërsa shtoi se programi i parë i Rilindjes Urbane e ka përmbushur misionin e tij dhe se vendi tashmë ka hyrë në një fazë ku qytetarët kërkojnë më shumë sesa investime bazë në infrastrukturë.
Duke bërë një krahasim me të kaluarën, Rama kujtoi se sheshet kryesore të qyteteve shqiptare dikur ishin simbol i rrënimit dhe degradimit, ndërsa sot sipas tij ato janë kthyer në hapësira publike që pasqyrojnë një realitet krejt tjetër.
Ai theksoi se transformimi i shesheve, rrugëve, ndriçimit, shkollave dhe infrastrukturës ishte përgjigjja ndaj një Shqipërie që dilte nga një periudhë e gjatë braktisjeje, ndërsa sot sfida lidhet me cilësinë e shërbimeve dhe përvojën që u ofrohet qytetarëve.
Kryeministri solli në vëmendje edhe ndryshimin e mënyrës se si perceptohen investimet publike, duke kujtuar se dikur mjaftonin ndërhyrje minimale për të fituar mbështetjen e qytetarëve.
"Këtu ka shumë veteranë si puna ime dhe ishte një kohë që fitoheshin zgjedhje me çakull, dy kamionë që hidheshin në një gjurmë rruge... Sot kilometrat që ekzistojnë nuk janë fare në vëmendje, janë kilometrat që mungojnë", deklaroi Rama, duke e cilësuar këtë si tregues të rritjes së standardeve dhe pritshmërive të shoqërisë shqiptare.
Pjesë nga fjala e Ramës:
Një program kombëtar ambicioz për të kaluar te Rilindja Urbane 2.0, duke vendosur në dispozicion të këtij kapërcimi një objektiv prej 1.5 miliardë eurosh. Ajo që mendova se është e rëndësishme ta ndaj me ju sot lidhet me jo thjesht dallimin mes këtij programi të ri dhe programit të parë të Rilindjes Urbane, por me arsyet që më çojnë në këtë program. Përpara disa ditësh pata një komunikim me njërin prej jush që ishte shumë i acaruar me një grup njerëzish që i kishin dalë në një lloj proteste për një çështje komunitare, edhe po më thoshte që i kam gjetur në llum, s'kishin rrugë, s'kishin ndriçim, të mbushur me ferra, mes plehrave, ua kam bërë atë lagjen me rrugë, me drita, me pemë edhe stola kam vënë, por janë mosmirënjohës.
Tani unë besoj që ky është leximi më i gabuar i mundshëm i një reagimi, për të cilin normal atij nuk i vinte mirë. Askush nuk i vjen mirë, për më tepër kur ke parasysh atë që ai thoshte, nga ishte nisur. Dhe nuk e kuptonte dot se si një komunitet, të cilit i kishte bërë gjithë atë yzmet, t'i kthehej kundër. Fakti është që sa më shumë përmirësohen kushtet, aq më shumë bie në sy si e papranueshme ajo që mungon dhe kjo nuk është mosmirënjohje, është pritshmëri për standarde të tjera.
Shoqëritë e varfra, ne kemi qenë shoqëri e varfër, nuk jemi më. Nuk thashë që nuk kemi varfëri, por nuk jemi më një shoqëri e varfër dhe shoqëritë e varfra janë shumë më tolerante ndaj mungesave, sepse në shoqëritë e varfra dominon mendësia që ka dhe më keq. Ndërkohë që shoqëritë e zhvilluara apo shoqëritë që hyjnë në një fazë zhvillimi, kur gjërat që deri dje dukeshin që nuk ishin pjesë e mundshme e jetës bëhen realitet, janë gjithmonë e më shumë intolerante ndaj mungesave. Që do të thotë që suksesi, rezultati, ndryshimi nuk i ul pritshmëritë, i rrit pritshmëritë: ka dhe më mirë. Nëse shoqëritë e varfra thonë "ka dhe më keq", në shoqëritë e zhvilluara, apo ku zhvillimi hyn në fazën e re, thonë "ka dhe më mirë" dhe sigurisht që ka dhe më mirë dhe kjo është shenja më e sigurt që ne sot jemi zyrtarisht në një fazë të re.
Pse them zyrtarisht? Sepse më kujtohet që kur, mbas zgjedhjeve të fundit, unë në një mbledhje të mbyllur këmbëngula që 83 mandatet janë një bekim po aq sa janë një mallkim. Më thoshin: "Ç'është ky mallkim?" Jo, sepse jemi në një fazë të re të marrëdhënies të çdokujt që jeton në këtë vend me veten, me vendin, me shtetin dhe programi është një nga instrumentet që e adreson këtë fazë të re, duke nisur nga prezumimi që Rilindja Urbane që ne njohim e ka kryer funksionin e saj.
Tani duhet kaluar përtej dhe para se të kaloj në disa nga pikat që kam shënuar, po i kthehem asaj që tha ministrja lidhur me papunësinë. Të gjitha ato janë shifra reale, por prapë do të ishte gabim i madh të mendohej që ata që i refuzojnë ato shifra si një arsye për t'u ndjerë mirë, por përkundrazi i marrin këto shifra dhe thonë: "Çfarë punësimi, këtu kush punon është skllav, këtu të japin 200 euro", këtu është mbase gabim në mënyrën se si i formulon gjërat, por është një pritshmëri shumë më e lartë.
Rilindja Urbane ishte dalja nga një fazë e gjatë rrënimi dhe degradimi që ishte kudo dhe nëse e përmendi kryetarja e Bashkisë çështjen e shesheve kryesore, nëse sheshi kryesor është fytyra e një qyteti, sheshet kryesore të qyteteve tona ishin fytyra e degradimit dhe dorëzimit para fatit të çdo qyteti. Dalja nga degradimi dhe rikthimi i qytetit si vendi ku njerëzit kanë një jetë të mundshme sociale dhe gjithë çfarë pastaj e përmbledh mozaikun e Rilindjes Urbane me sheshet, rrugët, ndriçimin, shkollat, çerdhet, ujësjellësit, kanalizimet e kështu me radhë, i përkisnin një faze kur në Shqipëri njerëzit filluan të besojnë tek vetja, filluan të besojnë se Shqipëria mund të ishte e bukur jo vetëm nëpër male dhe 100 metra nga bregu kur notoje, se 100 metrat e para ishin hall më vete, por mund të ishte e bukur dhe mund t'u prezantohej bukur.
Tani nuk jemi më në fazën që na mungojnë këto. Mua më kujtohet gjithnjë e më shumë kur mbillnim pemë në Tiranë, dukej sikur jepnim shfaqje. Njerëzit ndalonin dhe mblidheshin rreth pemëve. Kur kemi mbjellë kumbullat e kuqe te Rruga e Kavajës bllokohej trafiku se njerëzit shihnin mbjelljen e pemëve. Sot ata që s'kishin lindur në vitin 2001, 2002, 2003, 2004 as e kanë idenë se 90% e pemëve që janë në rrugët e Tiranës janë mbjellë në atë fazë.
Mirëpo tani nuk jemi më në fazën e mungesës. Ne ndërtojmë shkolla. Dikur ishte një gjë shumë e madhe. Sot Durrësi, edhe për shkak të rindërtimit, sot Kamza, edhe për shkak të rindërtimit, janë qytete që tërësinë e shkollave e kanë të standardeve të një qyteti europian, ku të doni ju vendoseni dorën, por nuk mjafton më. Mund të thuash po ndërtojmë një shkollë të re, por e çfarë pastaj, sepse nuk është më ndërtimi, por është çfarë ka brenda. Nuk është më infrastruktura, por mënyra si shfrytëzohet dhe çfarë del nga ajo infrastrukturë për shoqërinë. Nuk është më investimi, por është përvoja. Zoti Demo ka një fjalë magjike: "Eksperienca", thotë dhe ka të drejtë. Nuk është vetëm rruga e shtruar që i bën përshtypje, janë ato 50 metrat mbas 5 kilometrash që janë keq dhe aty është pastaj libri i shtëpisë sonë. Nuk është mosmirënjohje, por një stad i ri falë gjithë kësaj pune që ne kemi bërë.
Këtu ka shumë veteranë si puna ime dhe ishte një kohë që fitoheshin zgjedhje me çakull, dy kamionë që hidheshin në një gjurmë rruge, ku në fakt gropat ishin më shumë se sa pjesët të sheshta sillnin vota. Sot kilometrat që ekzistojnë nuk janë fare, fare në vëmendje, janë kilometrat që mungojnë.
