Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uron 14 Marsin nga qelia dhe thotë se pas një dimri të gjatë e të vështirë, pranvera po troket me shpresë të re dhe plot gjallëri, duke paralajmëruar diçka edhe për procesin hetimor ndaj tij.
Ai e shoqëron urimin për Ditën e Verës me një fotografi të hershme, kur ishte i lirë dhe vizitonte qytete, fshatra e të tjera zona të bukura të Shqipërisë thuajse çdo javë.
"Gëzuar Ditën e Verës! Pas një dimri të gjatë dhe të vështirë, pranvera po troket me shpresë të re dhe plot gjallëri", shkruan Ilir Meta. Ky mesazh i tij mund të paralajmërojë edhe lirimin nga qelia sa më parë, pasi avokati i tij ka deklaruar se në fund të muajit Meta do të dalë nga burgu.
Kujtojmë se Ilir Meta dhe ish-partneren e tij, Monika Kryemadhi, janë vënë nën hetim nga SPAK, si të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale.
Ish-çifti është marrë i pandehur për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.
Gjithashtu, Meta dhe Kryemadhi po hetohen edhe për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
