Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën këtë të shtunë me një mesazh urimi për 7 Marsin - Ditën e Mësuesit, duke ndarë pamje nga vizita e veçantë e fëmijëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, të cilët i shkuan në Kryeministri.
Me rastin e kremtimit të kësaj feste, dje një grup i fëmijëve “Zogjtë e Manastirit” nga Manastiri, Maqedonia e Veriut – ishin në Tiranë në një vizitë të veçantë që forcon lidhjet tona kulturore dhe gjuhësore me komunitetin shqiptar në rajon.
Të shoqëruar nga prindërit dhe mësuesit e tyre, fëmijëve iu urua mirëseardhja nga kryeministri Edi Rama në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), si dhe nga zëvendësministrja e Jashtme Vilma Premti, zëvendësministrja e Arsimit Oriana Osmani dhe Ambasadori Denion Mejdani.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, ata vizituan shkollën 9-vjeçare “Dora D’Istria”, ku zhvilluan aktivitete të përbashkëta me nxënësit e shkollës, duke ndarë përvoja dhe duke krijuar miqësi të reja. Programi vijoi me aktivitete kulturore në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe me një vizitë në Teatrin e ri të Kukullave.
Manastiri ka një domethënie të veçantë për historinë tonë kombëtare, pasi aty u mbajt Kongresi i Manastirit, momenti historik që bashkoi alfabetin e gjuhës shqipe dhe forcoi themelet e identitetit tonë.
Kjo iniciativë e ndërmarrë nga Ambasada e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, është një dëshmi e përkushtimit për të ruajtur dhe promovuar gjuhën shqipe, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar tek brezat e rinj të komunitetit shqiptar në rajon.
