Ishte 2 shtatori 2015, kur trupi i Alan Kurdit , i veshur me një bluzë të kuqe dhe pantallona të shkurtra blu, u gjet me fytyrë përmbys në plazhin e Bodrumit.
Djali trevjeçar kurd sirian, me origjinë nga Kobani, ishte nisur me familjen e tij gjatë natës në një gomone të mbipopulluar me destinacion ishullin grek të Kosit.
Ashtu si të gjithë pasagjerët e tjerë, ai mbante veshur një jelek shpëtimi të rremë, pavarësisht se babai i tij kishte paguar më shumë se 5,000 dollarë për udhëtimin e shkurtër.
Trupat e Alanit dhe një fëmije tjetër u zbuluan në agim nga një barist që punonte në një hotel buzë detit.
Mehmet Çıplak, oficeri i parë i policisë që mbërriti në vendngjarje, e përshkroi atë skenë kur dhe gjeti trupat e pajetë të fëmijëve të mitur si diçka që e kishte “shkatërruar atë deri në palcë”.
Ai tha se duke parë fëmijën me fytyrë poshtë, shpresonte që ai të ishte i gjallë, por pasi e ktheu konfirmoi vdekjen e tij.
Ishte fotografi Nilüfer Demir, ai i cili shkrepi foton, ku Alani i pa fat, shihej në breg sikur flinte. Kjo foto bëri xhiron e botës dhe u bë simbol i dështimit të politikave evropiane të migracionit.
Në atë kohë, lufta në Siri dhe sulmet e ISIS-it po detyronin mijëra prindër t'i tërhiqnin fëmijët e tyre në gomone dhe varka për t'i shpëtuar. Mijëra vdiqën duke u përpjekur të arrinin në Evropë. Por mijëra ia dolën mbanë, duke gjetur strehë të sigurta në Gjermani, Danimarkë dhe Suedi ku mund të fillonin nga e para.
Sot, dhjetë vjet më vonë, jo vetëm që paqja nuk ka ardhur në botë, por i njëjti det është shndërruar në një varr që, përveçse mban mijëra trupa që nuk u kthyen kurrë në tokë, është bërë një kurth për 2 milionë banorët e Gazës që nuk mund të largohen nga Rripi . Dhe kjo sepse në dhjetë vjet, jo vetëm që nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë një sistem që u lejon refugjatëve të kalojnë kufijtë ligjërisht pa rrezikuar jetën e tyre, por gjithashtu kemi lejuar që dy luftëra të reja, ajo në Lindjen e Mesme dhe ajo në Ukrainë, të sakrifikojnë mijëra e mijëra banorë të tjerë të Gazës çdo ditë.
Mesdheu është një det mizor, i thellë, i pangopur për jetë. Gjatë dhjetë viteve të fundit, 28,000 viktima janë regjistruar në anije të mbytura përgjatë rrugëve të ndryshme të migrimit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) . Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë fëmijë, me afërsisht 3,500 të mitur që kanë vdekur gjatë kalimit.
