Presidenti rus Vladimir Putin tha se Perëndimi i udhëhequr nga NATO po përgatitet për luftë kundër Rusisë. Ai e bëri këtë deklaratë para qindra të diplomuarve të akademisë ushtarake në Moskë.
Putin theksoi se deri tani aleanca është kufizuar në mbështetjen e Ukrainës, por sipas tij tani po flitet hapur se po përgatiten për një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë dhe po rrisin shpenzimet ushtarake. Ai akuzoi Perëndimin se po përdor pretendime të rreme për një kërcënim të supozuar nga Rusia.
Putin tha se pothuajse 40% e buxhetit rus shkon për mbrojtjen dhe sigurinë, përfshirë operacionet ushtarake në Ukrainë.
“Ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi në mënyrë operative dhe të përshtatshme çdo lloj kërcënimi”, u shpreh ai.
Pushtimi rus i Ukrainës që nisi në shkurt 2022 ka shtyrë Bashkimin Evropian dhe NATO-n të mbështesin Kievin me ndihmë ushtarake dhe ekonomike.
Ndërsa lufta vazhdon pa një fund të afërt, disa vende perëndimore po shprehin gjithnjë e më shumë shqetësim për mundësinë e një konflikti të drejtpërdrejtë me Rusinë, gjë që ka sjellë rritje të shpenzimeve të mbrojtjes.
