Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka deklaruar se Irani nuk mund të vendosë taksa në Ngushticën e Hormuzit, pasi kjo do të shkelte ligjin ndërkombëtar. Ai theksoi se kjo është një korsi ndërkombëtare detare dhe asnjë vend nuk ka të drejtë të vendosë tarifa mbi të. Rubio tha se beson se të gjitha vendet e rajonit do të pajtohen me këtë qëndrim.
"Kjo është një korsi ndërkombëtare detare. Asnjë vend nuk lejohet të vendosë taksa ose tarifa në një korsi ndërkombëtare detare", u tha Rubio gazetarëve, duke shtuar se ai besonte se "të gjitha vendet në këtë rajon do të pajtoheshin me ne".
Diplomati amerikan mbërriti në Abu Dhabi të martën, si ndalesa e parë e një turneu në vendet e Gjirit. Qëllimi i vizitës është të qetësojë aleatët e SHBA-së, të cilët janë goditur nga raketat dhe dronët iranianë gjatë konfliktit me Iranin. Ai konfirmoi se protokolli i marrëveshjes me Iranin do të diskutohet në takimet e tij.
Rubio tha se disa pika që nuk janë në memorandumin e mirëkuptimit do të diskutohen, por dokumenti do të duhet të shqyrtohet me kujdes. Ai shtoi se nuk mund të ketë ndërprerje të plotë të armiqësive në rajon për sa kohë që Irani lëshon raketa dhe dronë nga Iraku dhe mbështet grupe si Hamasi dhe Hezbollahu.
Sekretari amerikan do të takohet me autoritetet e Emirateve të mërkurën, përpara se të udhëtojë në Kuvajt dhe më pas në Bahrein, ku të enjten do të zhvillohet takimi i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit.
