Duket se epoka e blerjeve të lira online për konsumatorët evropianë ka mbaruar. Me një rregullore të re, të nënshkruar nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, një tarifë e përkohshme prej 3 eurosh për artikull do të vendoset për blerjet online nga vendet e treta.
Ky vendim do të zbatohet nga 1 korriku në të gjitha shtetet anëtare. Regjimi i importit për pako të vogla të lira (nga Temu , Shein dhe platforma të tjera jashtë BE-së) po ndryshon rrënjësisht, pasi ato nuk do të përjashtohen nga tarifat doganore vetëm sepse janë me vlerë të ulët.
Tarifa synon të frenojë miliarda pako që përmbytin fjalë për fjalë të gjithë Evropën çdo vit me blerje nga platformat e tregtisë elektronike jashtë Bashkimit Evropian.
Ndërhyrja prek thelbin e porosive të vogla online, veçanërisht ato që tregtohen në formën e pakove të vogla, me shumicë dhe me vlerë të ulët nën 150 euro.
Qëllimi i rregullores është të sigurojë kushte të barabarta loje midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të BE-së dhe ndërmarrjeve të vendeve të treta. Regjimi i ri ka të bëjë me blerjet e bëra çdo ditë nëpërmjet internetit nga konsumatorë individualë, direkt nga platformat tregtare kineze (Temu, Shein, AliExpress, etj.) ose nga vende të tjera aziatike.
Megjithatë, vendimi i Komisionit nuk përjashton, të paktën në këtë fazë, blerjet nga platformat ose dyqanet online nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar ose vende të tjera të treta, si eBay, Amazon, Assos, etj.
