
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me një note verbale të mbërritur nga qeveria gjermane, që vendos kushte specifike për zhvillimin e takimeve elektorale në territorin e këtij shteti.
Sipas kësaj note, çdo takim elektoral që synon të zhvillohet në Gjermani duhet të njoftohet të paktën 10 ditë përpara datës së mbajtjes. Më tej, vetëm pas miratimit nga autoritetet federale gjermane, mund të lejohet zhvillimi i aktivitetit me pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote.
Në muajt e fundit, disa takime elektorale janë mbajtur në qytete të ndryshme të Gjermanisë, por deri tani këto aktivitete janë realizuar vetëm nga deputetë të ndryshëm.
Asnjë nga liderët kryesorë të partive që do të garojnë në zgjedhjet e 11 majit nuk ka marrë pjesë në to, ndoshta edhe për shkak të kufizimeve të vendosura nga autoritetet gjermane.