Kandidati i pavarur, por përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, Bojken Abazi nuk dorëzohet. Ai ka dërguar në KQZ ankesat lidhur me rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Abazi ka publikuar dy video ku pretendon se numëruesit shënojnë me “X” në fletën e tyre të votimit, duke i nxjerrë qëllimisht të pavlefshme. Përmes një shënimi në Facebook ai “bën habi” se si partitë e mëdha nuk i nxjerrin këto video, pasi janë marrë nga KQZ nga të gjitha palët, duke lënë të kuptohet se ai akuzon partitë e mëdha për nxjerrjen qëllimisht të pavlefshme të fletëve të votimit.
Shqetësimi i tij lidhet edhe me mos-reagimin e institucioneve shtetërore.
Shënimi i plotë
Sa video duhet ende të publikojë Lëvizja VETËVENDOSJE! për të kuptuar çfarë makinerie e deformimit të votës ka qenë në lëvizje në këto zgjedhje? Dy të reja i nxorrëm sot, nëse nuk mjaftojnë, nxjerrim edhe tjetër.
Por si shpjegohet që partitë "e mëdha" nuk po i nxjerrin këto video? Nga KQZ i kemi marrë ne pamjet filmike zyrtare. Të njëjtat pamje filmike i kanë edhe ata.
Si shpjegohet që nuk po veprojnë organet e shtetit!?
Kush ka më gojë të thotë se këto kanë qenë zgjedhje të lira e të ndershme!?
Kanë vjedhur para, gjatë dhe pas fushatës si të babëzitur! Vjedhin zgjedhjet që pastaj të vjedhin një popull të tërë!
