Që prej mbrëmjes së djeshme është përfshirë nga flakët e përmasave të mëdha fshati Iballë në Fushë-Arrëz, që dyshohet të jetë zjarrvënie e qëllimshme.
Bëhet me dije se flakët janë akoma aktive, madje raportohet se flakët po marrin përmasa të mëdha mbi zonën pyjore Iballë–Mez. Ndërsa mësohet se është prekur një zonë pyjore.
Burimet bëjnë me dije se për shkak të terrenit të vështirë, forcat zjarrfikëse e kanë pasur të pamundur për të ndërhyrë menjëherë në zonën e prekur.
Po ashtu, mësohet se në ndihmë të shuarjes së flakëve kanë ardhur dhe banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore kanë ndërhyrë për neutralizimin e situatës.
Sakaq thuhet se është angazhuar dhe një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili po operon nga ajri për të mbajtur nën kontroll përhapjen e flakëve.
Aktualisht thuhet se zjarri është akoma aktiv në zonë, ndërsa pritet të dalin detaje të reja në vijim.
Mbrëmjen e djeshme është prekur nga flakët dhe njësia administrative Odrie në Gjirokastër, ku fatmirësisht u mësua se zjarri është shuar në mëngjesin e sotëm.

