Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me rastin e ish zv.drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Daniel Shima i cili u denoncua i zhdukur nga familjarët pas një telefonate të çuditshme ku thoshte se “po e arrestojnë”.
Shima u zhduk për më shumë se 10 orë duke shkëputur kontaktet me familjarët dhe të dashurën e tij, duke bërë që nëna e ish zv.drejtori të AKSH të alarmohej dhe denonconte në polici.
Ai u kthye në banesë rreth orës 02:00 të mëngjesit, si dhe u paraqit në komisariat ku sipas deklaratës së dhënë nuk ka asnjë pretendim për rrëmbim apo arrestim, por se ishte larguar me dëshirë.
Pista e parë ku policia u përqendrua për gjetjen e Daniel Shimës, ishte fillimisht ajo e mbajtjes së detyrës, por burime për mediat raportojnë se bëhet fjalë për një histori divorci që i riu ka pasur me bashkëshorten e tij.
Shima kohët e fundit ishte divorcuar me gruan dhe paralelisht në këtë periudhë kishte nisur një histori dashurie me një grua tjetër me inicialet E.H, me të cilën bashkëjetonte.
Për shkak të nisjes së problemeve të bashkëjetesës edhe me këtë të fundit, ai mësohet të jetë larguar nga banesa, duke inskenuar një situatë tek familjarët e tij sikur e kishin arrestuar duke u zhdukur pa gjurmë për disa orë.
Pritet që ditën e sotme, policia ta marrë sërish në pyetje, ku mund të zbardhet e plotë rrethanat dhe kush ishte shkaku u zhdukjes së tij për më shumë se 10 orë.

