
Disa orë pas atentatit me dy të vrarë dhe dy të plagosur në Shkodër, policia ka shoqëruar 4 persona.
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Nga atentati mbetën të vrarë Hamza Lici dhe një grua kalimtare e çastit, ndërsa të plagosur, në gjendje të rëndë për jetën kanë mbetur Arlind Bushati dhe bahskëshorti i gruas Flutura Basha.
Duke qenë se e gjithë ngjarja ndodhi në zonën Dobraçi, e cila njihet në kryeqendrën e veriut si një lagje nën kontrollin e fisit Bajri dhe hasmëritë e këtij fisi me Ibrahim Licin, forca RENEA mbërritën në këtë lagje pak pasi ndodhi atentati ku kanë kryer kontrolle intensive.
Ndërsa pak më herët u njoftua edhe për gjetjen e një mjeti tip “Land Rover” i cili u gjet i djegur në Grudë të Re. Në automjet policia gjeti dhe dy kallashnikovë të cilat dyshohet se janë përdorur në atentat nga autorët.