
Personi që shihni në foto është Hamza Lici, i riu që mbeti i vdekur pasditen e kësaj të mërkure në qytetin e Shkodrës, në zonën e njohur si Dobraç.
Rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, në Dobraç, persona të paidentifikuar qëlluan me breshëri kallashnikovi në drejtim të mjetit tip “Benz” me të cilin po qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Si pasojë e të shtënave humbi jetën shtetasi Hamza Lici, dhe u plagos rëndë shtetasi Arlind Bushati. Ndërkohë, automjeti me të cilin po udhëtonin Lici dhe Bushati humbi kontrollin dhe për pasojë u përplas me një motoçikletë që udhëtonte shtetasi Bashkim Basha dhe bashkëshortja e tij shtetasja Flutura Basha. Kjo e fundit fatkeqësisht humbi jetën, ndërkohë bashkëshorti i saj ndodhet në Spitalin e Shkodrës në gjendje të rëndë për jetën.
Burime për mediat bëjnë me dije nga vendi i ngjarjes se një kamera sigurie mund të ketë regjistruar atentatin ku mbeti i vrarë vëllai i Ibrahim Licit.
Duke qenë se e gjithë ngjarja ndodhi në zonën Dobraçi, e cila njihet në kryeqendrën e veriut si një lagje nën kontrollin e fisit Bajri dhe hasmëritë e këtij fisi me Ibrahim Licin, forca RENEA kanë “zbarkuar” në këtë lagje ku dhe po kryejnë kontrolle të imtësishme.
Theksojmë se më herët në makinë tip “Land Rover” u gjet e djegur në Grudë të Re. Në automjet policia gjeti dhe dy kallashnikovë të cilat dyshohet se janë përdorur në atentat.