Bashkia e Tropojës ka nderuar sot me titullin “Qytetar Nderi”, bijtë e vetë, Halil Kuçana, Rexhep Kortoçi, Selim Demushi dhe Avni Hoxha, në vlerësim të kontributit të tyre të çmuar në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës për liri.
Ky vlerësim është një shprehje mirënjohjeje për ata që, me përkushtim, profesionalizëm dhe atdhedashuri, kontribuuan në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Në këtë ceremoni të veçantë morën pjesë ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryetari i Veteranëve të UÇK-së, Nasim Haradinaj, si dhe personalitete të tjera të pushtetit qendror e vendor.
Gjithashtu, të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të institucioneve, veteranë, familjarë të të nderuarve dhe qytetarë të shumtë, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë vëllazërore mes Tropojës dhe Kosovës.
"Lavdi dëshmorëve të kombit! Nderim i përjetshëm për veteranët, luftëtarët e lirisë dhe për të gjithë ata që kontribuan në çlirimin e Kosovës", shkruan kryebashkiaku Rexh Byberi, teksa ndan dhe pamje nga ceremonia.
