Vjolanda Peca është shoqëruar pasditen e sotme në ambientet e Komisariatit Nr.1. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me këtë situatë të paprecedentë duke i bërë thirrje Policisë së Shtetit që ngjarje të tilla mos të përsëriten, pasi cilësohen si ndërhyrje serioze në lirinë e medias.
E megjithatë, rreth orës 16:24 ajo është liruar nga ambientet e këtij komisariati dhe një gjë e tillë është bërë me dije po nga AGSH-ja. Në reagimin e bërë në kanalin zyrtar në Facebook, shkruhej:
“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) shpreh shqetësimin e thellë për shoqërimin në Komisariatin nr. 1 të gazetares së Citizens.al, Vjolanda Peca. Shoqërimi i një gazetareje gjatë ushtrimit të detyrës përbën një ndërhyrje serioze në lirinë e medias dhe krijon një precedent të papranueshëm për raportimin e ngjarjeve me interes publik.
AGSH i bën thirrje Policisë së Shtetit të lirojë menjëherë gazetaren nëse nuk ekziston një bazë ligjore e qartë për privimin e lirisë së saj, si edhe të garantojë që gazetarët të mund të ushtrojnë profesionin e tyre të lirë, pa intimidim, pengesa apo presion.
Përditësim ora 16:24
Përditësim:
Gazetarja Vjolanda Peca është liruar nga ambientet e komisariatit. Shoqërimi në komisariat kundër vullnetit dhe mbajtja për më shumë se dy orë e gazetares në kushte të privimit të lirisë është e pa pranueshme dhe një shkelje e rëndë e lirisë së ushtrimit të profesionit që nuk duhet të përsëritet”.
