Personi që shihni në foto është Ligor Çombashi, pronari i agjencisë së udhëtimit “Ligori Traverl”, i cili u ndalua këtë të mërkurë nga policia në kuadër të operacionit të zhvilluar nga SPAK dhe autoritetet italiane me qëllim zbërthimin e një grupi kriminal i cili merrej me transportimin e lëndëve narkotike.
Burime për mediat bëjnë me dije se Çombashi është ndaluar në orët e para të mëngjesit të sotën në banesën e tij në Sheq Marinas të Fierit. Sakaq mësohet se autobusët e kompanisë së tij bënin linjën Itali-Shqipëri.
Kujtojmë se një megaoperacion është ndërmarrë nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare. Në kuadër të këtij operacioni të quajtur “Ura” janë lëshuar 52 urdhër-arrest për krime të cilat lidhen me trafikimin ndërkombëtar të sasive të mëdha të narkotikëve, pastrimin e parave dhe shpërdorimi i detyrës.
Orges Molla rezulton të jetë dhe “koka” e grupit të strukturuar kriminal, i cili aktivitetin e kishin shtrirë në të gjithë Europën, kishin “kopsitur” lidhjet e tyre me qëllim për të kontrabanduar heroinë nga Ballkani në Itali dhe më pas në Europën veriore.

Përpos Mollës, i cili konsiderohet dhe si personazhi kyç në këtë histori, masë sigurie është lëshuar edhe për nipin e Xhevdet Troplinit, Ervis Doçin, i njohur në Durrës ndryshe si “Visi i Pojës”.
Gjithashtu, mësohet se masë sigurie është lëshuar edhe për avokatin Armand Tragaj në Durrës, ndërkohë që është ndaluar administratori i kompanisë së autobusëve Ligor Çombashi.
Gazetarja Klodiana Lala bëri me dije se në këtë grup të strukturuar kriminal janë të përfshirë edhe biznesmenë me ndikim në vendin tonë si dhe një efektiv policie, i cili ishte larguar nga radhët e bluve më herët.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar edhe Hasan Nerjaku. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë në tokën italiane, e cila dyshohet të ishte edhe “rruga lidhëse” e transportit.
*Të gjitha informacionet dhe emrat e përmendur janë siguruar në rrugë jo zyrtare, për të tepër informacione lidhur me këtë operacion pritet një reagim zyrtar nga SPAK!


