
Orges Molla rezulton të jetë dhe “koka” e grupit të strukturuar kriminal i cili u godit mëngjesin e kësaj të mërkure nga autoritetet shqiptare dhe ato italiane.
Ky grup i cili aktivitetin e kishin shtrirë në të gjithë europën, kishin “kopsitur” lidhjet e tyre me qëllim për të kontrabanduar heroinë nga Ballkani në Itali dhe më pas në Europën veriore.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, së bashku me italianët, në kuadër të këtij operacioni i cili u quajt “Ura”, lëshuan 52 urdhër-arreste, mes tyre njerëz të drejtësisë shqiptare, por jo vetëm.
Përpos Mollës, i cili konsiderohet dhe si personazhi kyç në këtë histori, masë sigurie është lëshuar edhe për nipin e Xhevdet Troplinit, Ervis Doçin, i njohur në Durrës ndryshe si “Visi i Pojës”.
Gjithashtu, mësohet se masë sigurie është lëshuar edhe për avokatin Armand Tragaj në Durrës, ndërkohë që është ndaluar administratori i kompanisë së autobusëve Ligor Çombashi.
Gazetarja Klodiana Lala bën me dije se në këtë grup të strukturuar kriminal janë të përfshirë edhe biznesmenë me ndikim në vendin tonë si dhe një efektiv policie, i cili ishte larguar nga radhët e bluve më herët.
Masa arrest me burg është lëshuar edhe për Hasan Nerjakun, i cili ndodhet në qeli pasi është arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
*Të gjitha informacionet dhe emrat e përmendur janë siguruar në rrugë jo zyrtare, për të tepër informacione lidhur me këtë operacion pritet një reagim zyrtar nga SPAK!