Gjatë intervistës së Doloreza Musabelliut për postin e kreut të SPAK, anëtari i KLP-së Erind Merkuri, ngriti shqetësimin e përsëritur të institucioneve dhe publikut, rrjedhjen e dosjeve hetimore në media.
Në përgjigjen e saj prokurorja e Posaçme theksoi se ky është dhe një ndër problemet të cilat atë ngritur më herët brenda tyre dhe për të cilat janë ngritur dhe hetime por që kanë rezultuar pa zgjidhje.
Ajo shpjegoi se sapo palët njihen me materialet, ruajtja e sekretit hetimor bëhet shumë më sfiduese, pavarësisht se të gjithë firmosin për detyrimin për të mos e shkelur atë. Sipas Musabelliut, përqendrimi duhet të jetë tek individët që janë të autorizuar të kenë dokumentet në ruajtje, duke hapur hetime konkrete.
“Ju niseni edhe nga disa raste dhe është e vërtetë kjo. Është shumë e vështirë që në momentin që dosjen e ka prokurori dhe palët njihen me aktet i bëj që çështja është ende në hetim. Ne i marrim nënshkrimin që të rrihet sekreti hetimor. Janë hapur hetime por asnjëherë nuk kanë dalë pozitive kush e bëri këtë. Ne duhet të fokusohemi më tepër te personi që është i autorizuar ta mbajë këtë informacion, dhe jo të shkojmë te pika si e mori pse e mori. Përgjegjësia dhe hetimi duhet të fokusohet te personat që e kanë atë dokument në ruajtur. Dhe të hapen hetime kush e bëri dhe si e bëri”, tha ajo, teksa më tej u pyet edhe për jetën personale dhe “frikën” që familjarët e saj mund të kenë si pasojë e punës së saj.
Ajo shpjegoi se që në fillimet e saj te Krimet e Rënda ka jetuar me kufizime, duke qenë se puna me elementë të rrezikshëm e ekspozon një prokuror ndaj kërcënimeve të mundshme. Ndër të tjera ajo u ndal dhe te fakti i paraqitur dhe në platformë sa i përket vendosjes nën mbrojtje, masë për të cilën u shpreh se ishin familjarët e saj ata të cilët e përballuan me vështirësi.
“Për të thënë të vërtetën që kur kam filluar te Krimet e Rënda unë kam pasur një jetë të vetëkufizuar, sepse kuptohet që ke të bësh me elemente dhe mund të bëhesh objekt sulmi dhe secili e merr përsipër që nuk do ketë një jetë siç e ke pasur. Nuk më ka bërë ndonjë përshtypje pastaj pjesa e mëparshme në SPAK. Kur mora vesh lajmin ishte një tronditje, por duke qenë se unë kisha zbatuar ligjin dhe më tepër problematikat kaluan te familjarët e mi. Unë u mësova, kurse familjarët e patën problem”, shtoi ajo.


