Hapësire reklamuese

Aktualitet

Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë me lavde, kush është kryeprokurori i Vlorës që u arrestua sot

Shkruar nga Newsbomb
Një muaj më parë KPK e konfirmoi në detyrë me lavde,
Fotomontazh/ Aurel Zarka

Kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka, u arrestua këtë të hënë me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit si dhe policia e Vlorës “zbarkuan” mëngjesin e sotëm (29 korrik) në banesën e kryeprokurorit ku dhe bënë të mundur arrestimin e tij.

Burime për mediat bëjnë me dije se ndaj Zarkës rëndon akuza për veprën penale “Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Përveç kryeprokurorit në pranga ranë dhe tre persona të tjerë, konkretisht  ish-Oficerja e Policisë Gjyqësore, Eriona Dautaj, aktualisht studente e magjistraturës, avokati Radovan Çela si dhe biznesmeni Astrit Vladi.

Arrestimi i këtyre shtetasve ka ardhur pas një megaoperacioni të SPAK, i cili po vijon ende, lidhur me dosjen “Toyota Yaris”. Ndër të tjera mësohet se prangosja e këtyre zyrtarëve ka ardhur pas “zbërthimit” të bisedave në “skyenchro”.

Hetimet janë duke vijuar dhe dyshohet se janë edhe 8 zyrtarë e ish magjistratë të tjerë të përfshirë.

Kush është kryeprokurori i Vlorës që u arrestua në banesë këtë të hënë:

Një muaj më parë emri i kryeprokurorit Aurel Zarka u lakua nëpër media si njeriu i drejtësisë që kaloi me meritë dhe sukses procesin e vetting-ut. Në qershor të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kryeprokurorin Zarka.

Procesi i vetting-ut për prokurorin Zarka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon.

Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin ai u vlerësua pozitivisht, ndërkohë nuk u evidentuan as probleme edhe për katër denoncime e dorëzuara në KPK nga publiku.

Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mban funksionin e drejtuesit.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese