Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rënë në prangat e policisë kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka.
Burime për mediat bëjnë me dije se së bashku me kryeprokurorin e Vlorës këtë të hënë është bërë i mundur edhe arrestimi i ish-oficeres së Krimeve të Rënda, E. Dautaj si dhe avokatit me ininciale R.C.
Deri më tani dyshohet se ata kanë abuzuar detyrën lidhur me një procedim. Lidhur me këtë ngjarje priten më tepër detaje në vijim.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ai u emërua prokuror në vitin 2012 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit të Vlorës, ku së fundmi mban funksionin e drejtuesit.
Më 28 qershor Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë Zarkën. Për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin ai u vlerësua pozitivisht. Po ashtu, nuk u evidentuan probleme dhe për katër denoncime të dorëzuara në KPK nga publiku.
Procesi i vetingut për prokurorin Zarka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.
