Drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka, u arrestua mëngjesin e kësaj të hëne nga autoritetet. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Zarka ra në prangat e bluve të Vlorës pasi dyshohet se ka abuzuar detyrën lidhur me një procedim.
Përveç kryeprokurorit të Vlorës policia arrestoi dhe tre shtetas të tjerë. Burime për mediat bëjnë me dije se pas hekurave ra Eriona Dautaj, magjistrate në Shkollën e Magjstraturës, ish-oficere e Policisë Gjyqësore në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe hetuese në BKH, aktualisht magjistrate.
Gjithashtu u bë i mundur edhe arrestimi i avokatit Radovan Çela si dhe biznesmeni Astrit Vladi. Sakaq, Newsbomb.al mëson se avokati Radovan Çela ka përfaqësuar ligjërisht shtetasit Ervis e Alfred Vladi si dhe Alban Mollaymerin, të gjithë të akuzuar para disa vitesh për 3.4 milionë euro për dosjen “Toyota Yaris”.
Një prej të arrestuarve të kësaj të hëne ka qenë edhe biznesmeni Astrit Vladi i cili ka lidhje familjare me personat e akuzuar për dosjen e lartpërmendur.
Të arrestuarit:
1. Aurel Zarka, drejtues i Prokurorisë Vlore.
2. Eriona Dautaj, magjistrate ne Shkolle te Magjstratures, ish oficere policise gjyqsore ne Prokurorine e Krimeve te renda dhe Hetuese ne BKH, aktualisht magjistrate.
3. Astrit Vladi
4. Radovan Cela
Lidhur me këto arrestime deri më tani nuk kemi një njoftim zyrtar nga organi i akuzës apo dhe nga vetë Policia e Vlorës. Për më shumë informacione pritet një njoftim më i detajuar nga autoritetet. Ndërkohë, kujtojmë se në muajin qershor të vitit 2018, u sekuestruan në dy makina “Toyota Yaris” 3 milionë e 470 mijë euro.
Katër të arrestuarit në Shqipëri kanë qene Edi Lika, Klevi Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri, ndërsa të proceduar në Belgjike janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.
Paratë janë gjetur në bagazhet e dy mjeteve të futura në 4 thasë. Makinat ishin me tek derë. Sasia e parave është zbuluar pas raportit të paraqitur nga Interpol Roma.
Fillimisht u dyshua për 1.5 mln euro në një automjet të vendosur në një transportues me 8 makina të tjera. Mirëpo, pas verifikimeve të imtësishme aso kohe u zbulua edhe një makinë e dytë.

