Modelja Klea Prenga u rrah barbarisht mbrëmjen e së martës në Tiranë, në një nga restorantet luksoze ku po darkonte në zonën e Kodrës së Diellit. Ajo është qëlluar me gotë në fytyrë dhe ka marrë dëmtime të përhershme, ndërsa kur ka mbërritur në spital copat e qelqit i kishte ende në lëkurë.
24 vjeçarja ka bërë kallëzim në Komisariatin Nr.1 mbrëmjen e datës 6 Gusht kur ka ndodhur ngjarja, por ndaj dy motrave Antonela dhe Mariela Berisha nuk është marrë asnjë masë.
Klea Prenga i akuzon dy motrat Berisha si autore të sulmit ndaj saj dhe në llogarinë publike në Instagram ka ndarë disa pamje vërtet të rënda, ku shihet e mbuluar nga gjaku dhe e shpërfytyruar nga goditjet me gotë qelqi.
E reja ka deklaruar në momentin e parë në Komisariat se ka qenë duke darkuar në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, më 6 gusht 2024, kur dy motrat janë afruar dhe kanë nisur ta godasin me sende të forta në fytyrë, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Para hetuesve, Klea Prenga nuk ka treguar asgjë mbi arsyet e dhunës, duke pretenduar se nuk ka dijeni pse motrat e kanë dhunuar. Por kur ka parë se ndaj tyre nuk po merrej asnjë masë për të tretën ditë me radhë, 24 vjeçarja ka nxjerr pamjet në llogarinë e saj dhe ka thënë se Mariela Berisha dyshonte se ajo kishte lidhje me burrin e saj.
Në fakt, biznesmeni Mir Pepa rezulton se prej kohësh nuk është më në lidhje me Marinela Berishën dhe gjithçka mendohet të ketë ardhur për shkak të xhelozisë dhe inatit. Klea Prenga nuk pranon se është në lidhje me këtë shtetas, por ka sqaruar se personi në fjalë nuk është as i martuar dhe as burri i askujt.
Pse u tentua të fshihej ngjarja e dhunshme në Tiranë?
Dhunimi i Klea Prengës ka ndodhur në ambientet e një restoranti luksoz në zonën e Kodrës së Diellit dhe agjentët e krimeve në Komisariatin Nr.1 e kanë shumë të lehtë të identifikojnë se cilët/at janë autoret e sulmit ndaj 24 vjeçares, duke pyetur stafin, pronarët e biznesit dhe parë kamerat e sigurisë.
Policia e Tiranës ka dalë me një reagim publik vetëm sot, ditë e premte datë 9 Gusht. Kanë kaluar tre ditë dhe rasti u mësua vetëm pas denoncimit publik të viktimës së sulmit brutal dhe pasqyrimit të gjerë që i bënë mediat, sepse për autoritetet kjo ngjarje edhe mund të ishte harruar.
Newsbomb.al ka bërë dhe një verifikim në kalendarin e ngjarjeve të raportuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ditën e martë, të mërkurën dhe dje, ditën e enjte, por rasti i Klea Prengës nuk është raportuar asgjëkundi.
Që nga data 6 Gusht në mbrëmje që ka ndodhur sulmi në restorantin në zonën e Kodrës së Diellit, Policia e Tiranës ka dalë me njoftim publik vetëm sot, datë 9 Gusht, pak orë pasi Klea Prenga ndau pamjet e rënda të dhunës dhe mediat i dhanë zë rastit të saj.


