Gjatë intervistës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, anëtarja Arta Mandro kërkoi nga Adnan Xholi të shpjegonte cilat janë pikat e tij të forta e të dobëta, si dhe cilin prej dy drejtuesve të mëparshëm të SPAK-ut vlerëson më shumë.
Në lidhje me pikat e tij të forta, Xholi përmendi eksperiencën e gjatë 28-vjeçare dhe sidomos 16 vitet si drejtues në disa nivele të sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar këtë një avantazh të rëndësishëm. Ai shtoi se mësimdhënia e ka ndihmuar në elokuencë dhe qetësi profesionale. Ndër dobësitë, Xholi pranoi se nuk ka ekspertizë të plotë në hetimet që lidhen me kriptovalutat dhe se shpesh e ngarkon veten më shumë sesa duhet. Megjithatë, ai tha se është i gatshëm të mësojë dhe të delegojë më shumë detyra.
I pyetur se cili nga ish-drejtuesit e SPAK-ut e ka impresionuar më shumë, ai vlerësoi si Arben Krajën, për eksperiencën dhe sfidën e ngritjes së institucionit, ashtu edhe Altin Dumanin, i cili punoi me një strukturë tashmë të konsoliduar. Xholi tha se synon të marrë nga të dy ata elementët më pozitivë për ta çuar SPAK-un drejt rezultateve edhe më të mira.
“Pika ime e fortë ka të bëjë se kriteret që ky këshill ka përcaktuar thotë që të kesh aftësi drejtuese dhe menaxhuese. Kam 28 vite eksperiencë, 16 vite eksperiencë drejtuese në zyra të ndryshme dhe nivele të ndryshme. Dhe këtë e shikoj avantazh, pjesën e akademike dhe mësimdhënien e kam antistres. Ajo më ka dhënë këtë elokuencë. Kurse disavantazh me të tjerët unë mësoj çdo ditë, nuk jam i gjithdituri, nuk e kam eksperiencën e duhur në hetimin e veprave penale që kanë të bëjnë me kriptovalutat. Unë detyrohem të përshtatem të mësoj, por e kam të pamundur të jem ekspert i kripovalutave. Mundohem ti marr gjërat më seriozisht se duhet, ngarkohem vetë më shumë seç duhet dhe i hy në hak edhe familjes. Do duhet që të vijoj të delegoj kompetencat. Kjo është pika ime e dobët dhe mendoj se do e rikuperoj nëse marr pëlqimin tuaj”, tha Xholi.
Në vijim Mandro i bëri dhe një “pyetje me spec” duke e pyetur se si do të vepronte nëse ajo do t’i shkonte në zyrë pasi ai të emërohej drejtor. Xholi u përgjigj se para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe se pozitat nuk krijojnë privilegje, ndërsa shtoi me humor se do ta priste me respekt dhe një kafe të mirë.
“Unë e vlerësoj pozitën që keni por para ligjit nuk keni asnjë pozicion dhe do respektohen si gjithë të tjerët. Do ju respektoj si femër do ju sajdis me ndonjë kafe me ndonjë gjë por. Shumicës u pëlqen kafeja në SPAK e bëjnë të mirë, me këto do ju respektojmë”, tha ai.


