Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pasditen e kësaj të shtune në Prekal të Shkodrës, prej ku mësohet se një person është vrarë.
Policia ka bërë me dije se viktima është Aleksandër Koçeku, dhe ai është gjetur i vrarë brenda në një automjet, rreth orës 19:00 në aksin rrugor Prekal-Kir.
Dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive gjakmarrje, por ende nuk është verifikuar nga autoritetet.
Ndërkohë Policia është nisur drejt vendit të ngjarjes, për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë:
Shkodër/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Prekal–Kir, është gjetur në automjet, i dyshuar i vrarë me armë zjarri, shtetasi A. K.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë kontrollet intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për fiksimin dhe administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.
