Teksa në seancën e sotme parlamentare e cila pritet të nisë në orën 12:00 pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, projektrezolutash dhe raporte vjetore, qytetarët kanë paralajmëruar për protestë para Kuvendit.
Përmes një video-mesazhi të ndarë në rrjet, bëhet me dije se se protesta para Parlamentit do të zhvillohet në orën 09:00 të mëngjesit të kësaj të hëne, për të vijuar pasdite me tubimin e tyre të 51-të poshtë zyrës së kryeministrit Rama.
“Nesër më 20 korrik në orën 09:00, protestë para Kuvendit” shkruhet në video-mesazhin e shpërndarë në rrjet.
Deri më tani, nuk ka detaje nëse protestuesit janë mbledhur apo jo para Parlamentit.
Po ashtu, qytetarët kanë paralajmëruar dhe protestën e radhës para Kuvendit, e cila pritet të zhvillohet mëngjesin e 23 korrikut që përkon me seancën e radhës parlamentare.

