Aristir Lumezi u nda nga jeta këtë të mërkurë, 10 korrik. Sëmundja e rëndë u tregua e pamëshirshme dhe e shkëputi nga gjiri i ngrohtë i familjes dhe nga kolegët gazetarin dhe analistin i cili përgjatë gjithë jetës bëri shumë miq dhe la gjurmë në gazetarinë shqiptare.
Për ikjen e Lumezit ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë të cilët u kanë shprehur ngushëllimet më të thella familjarëve. Kolegun e tyre e përshkruajnë në këtë postim si një profesionit i karakterizuar në çdo moment nga përgjegjësia dhe ndërgjegjja e lartë morale dhe profesionale.
"I paharruar do të mbetet mes nesh kolegu dhe miku ynë i urtësishëm", shkruhet ndër të tjera në postimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Postimi i plotë i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë:
Ndahet nga jeta gazetari Aristir Lumezi
Pas një kohe vuajtjesh nga një sëmundje e rëndë, është ndarë nga jeta, kolegu ynë i dashur, një ndër modelet njerëzore të komunitetit tonë, kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi.
Ikja e tij nga jeta, në moshën 57 vjeç, ka pikëlluar rëndë familjarët e tij, miqtë, kolegët dhe krejt organizatën tonë, pjestar i së cilës ishte qysh në vitin e parë të themelimit të saj.
Gazetari Aristir Lumezi spikati si reporter i politikës në shtypin shqiptar përgjatë 20 viteve të fundit. Ai drejtoi me maturi dhe profesionalizëm disa redaksi të të përditshmeve kryesore në vend dhe për disa vite u dallua si zëvendës/ kryeredaktor dhe kryeredaktor i së përditshmes kryesore në vend, gazetës " Panorama".
Kolegu ynë i nderuar Lumezi ishte prind dhe familjar i shkëlqyer, një profesionist i karakterizuar në çdo moment nga përgjegjësia dhe ndërgjegjia e lartë morale dhe profesionale.
Ai ndau njohje të shumta profesionale e njerëzore dhe meritoi një simpati publike si gazetar dhe pjestar i editorit të Panoramës.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh dhimbjen e anëtarëve për humbjen e parakohshme të kolegut dhe mikut tonë të respektuar dhe përcjell ngushëllimet pranë familjes Lumezi!
I paharruar do të mbetet mes nesh kolegu dhe miku ynë i urtësishëm!
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
P.S: Gazetari Lumezi do të përcillet për në banesën e fundit ditën e enjte, në 11 korrik në orën 12:00. Ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e Funeral Home Parajsa, në rrugën “Muhedin Llagani”. Trupi i pajetë i gazetarit do të prehet përgjithmonë në varrezat e Sharrës në Tiranë.( Njoftimi për ceremoninë përcjellëse, nga familja)