
Gazetari Aristir Lumezi është ndarë këtë të mërkurë nga jeta. Lajmin e hidhur e kanë dhënë vetë familjarët e tij, të cilët tanimë do mundohen të vazhdojnë jetën pa prezencën e njeriut të tyre të dashur.
Ishte një sëmundje e rëndë, që i preu jetën në mes gazetarit të njohur në moshën 57-vjeçare. Pavarësisht se luftoi me gjithë forcat e tij për të mposhtur sëmundjen, ai i mbylli sytë përgjithmonë, duke lënë pas pikëllim të thellë.
Lumezi nuk u nda kurrë nga pasioni i tij më i madh, të shkruarit dhe letërsia. Ai ndoqi studimet e larta në në universitetin Aleksandër Xhuvani të Elbasanit, përgjatë viteve 1985-1989, ku u diplomua për letërsi. Më pas rrugëtimi i tij u ndërlidh ngushtë me shtypin e shkruar dhe gazetarinë.
Ai gjithashtu ua transmetoi njohuritë dhe pasionin e tij studentëve të gazetarisë gjatë kohës që punoi si pedagog i jashtëm në Universitetin e Elbasanit. Paralelisht ai vijonte punën në media, ku për shkak të angazhimit dhe profesionalizmit të treguar arriti të ngjiste shkallët e karrierës, duke mbajtur edhe poste drejtuese në shtypin e shkruar dhe median online, si kryeredaktor i gazetës Panorama.
Lumezi korri sukses edhe si analist për çështjet dhe aktualitetin politik në vend, ku u ftua në shumë studio televizive për të artikuluar mendimet e tij.
Mirëpo, ishte sëmundja e rëndë që e shkëputi vrullshëm nga rutina e përditshme dhe nga vetë gazetaria. Lumezi vuante prej kohësh nga një sëmundje e rëndë, që e ndau në moshë të re nga familja dhe miqtë e tij.
Varrimi do të bëhet ditën e enjte në 11 korrik në orën 12:00. Ndërsa, ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e Funeral Home Parajsa, në rrugën “Muhedin Llagani”. Trupi i pajetë i gazetarit do të prehet përgjithmonë në varrezat e Sharrës në Tiranë.