
Një lajm i trishtë ka ardhur pasditen e kësaj të mërkure korriku. Kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi, është ndarë nga jeta ditën e sotme duke lënë pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe të gjithë kolegët që përgjatë gjithë këtyre viteve kanë punuar me të.
Mësohet se sëmundja e rëndë i mori jetën Lumezit në moshën 57-vjeçare. Pa çka se luftoi fort gazetari nuk arriti të mposhtë sëmundjen "përbindësh", e cila papritur u shfaq në trupin e tij.
Gazetari Lumezi do të përcillet për në banesën e fundit ditën e enjte, në 11 korrik në orën 12:00. Ndërsa, ceremonia mortore do të zhvillohet në ambientet e Funeral Home Parajsa, në rrugën “Muhedin Llagani”. Trupi i pajetë i gazetarit do të prehet përgjithmonë në varrezat e Sharrës në Tiranë.
Aristir Lumezi kishte një eksperiencë prej më shumë se dy dekada në media dhe ishte një nga ata njerëzit që spikaste kudo ku shkonte. Ai ka qenë gazetar i politikës dhe ka mbajtur postin e kryeredaktorit të gazetës Panorama.
Newsbomb.al u shpreh ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të Aristir Lumezit!