Detaje të reja janë mësuar për vdekjen tragjike të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Ai ka qenë në ambientet e hotelit “Rogner”, së bashku me disa të tjerë në një takim pune, ku në një moment nuk është ndjerë mirë.
Ish-deputeti ka shkuar në tualet dhe aty dyshohet se ka pësuar arrestin kardiak dhe është rrëzuar. Kanë qenë personat që ishin në tavolinë me të, që janë shqetësuar për vonesën e Gertit.
Më pas, në tualet ka shkuar kamerieri i hotelit, i cili e ka gjetur të shtrirë në tokë 44 vjeçarin. Ai është munduar që t’i japë ndihmën e parë, ndërsa disa minuta më vonë ka shkuar edhe ambulanca.
Ish-deputeti 44-vjeçar është dërguar me urgjencë në spital, por mjekët e kanë pasur të pamundur që ta rikthenin në jetë.
Në lidhje me këtë lajm ka reaguar më herët edhe policia e Tiranës, e cila njofton se ish-deputeti është gjetur pa shenja jete.
“Më datë 18.09.2024, rreth orës 11:30, në ambientet e një hoteli në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", është gjetur pa ndjenja shtetasi G. B., 45 vjeç. Ky shtetas është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, por ka ndërruar jetë.
Nga veprimet e kryera paraprakisht dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.


