Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Studenti që u nderua me "Medalje Ari" në SHBA dhe shkëlqeu në politikën shqiptare, kush ishte tironsi Gerti Bogdani

Shkruar nga Newsbomb
Studenti që u nderua me "Medalje Ari" në SHBA dhe
Politikani i ndjerë, Gerti Bogdani

Politikani demokrat dhe profesori Gerti Bogdani, ka ndërruar jetë papritur këtë të mërkurë. Ai ka qenë në ambientet e Hotel "Rogner" në kryeqytet, nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij, teksa bëhej gati për një takim zyrtar kur ka pësuar një goditje në zemër.

Fatkeqësisht, 44 vjeçari është dërguar me autoambulancë në spital por mjekët nuk kanë mundur ta rikthejnë në jetë. Gerti Bogdani ishte i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Ajrës dhe Reinartit.

Studenti shqiptar që shkëlqeu në SHBA

Gerti Bogdani ka lindur më 7 Korrik 1980 në Tiranë dhe shkollën e ka kryer në kryeqytet. Arsimin e mesëm ai e ka kryer në shkollën “Harry Fultz” ku është dalluar për rezultate të shkëlqyera dhe më pas vijoi studimet e larta në Universitetin Politeknik të Nju Jorkut.

Edhe në Amerikë, studenti i ri nga Tirana është diplomuar me "Nderimet më të Larta" (Summa Cum Laude), duke u shpallur edhe fitues i Outstanding Graduate Award - "Medalje Ari".

Menjëherë pas studimeve në SHBA, Gerti Bogdani vendosi të rikthehej në Shqipëri dhe të kontribuonte për vendin e tij. Falë përgatitjes së lartë që kishte, edhe përse i sapodiplomuar, Gerti pati oferta të shumta për t'u përfshirë në fushën akademike dhe nisi karrierën profesionale në Universitetin e New Yorkut –Tiranë.

Gjatë kësaj kohe, paralelisht i riu energjik nga Tirana themeloi dhe drejtoi Rrjetin e Studentëve Shqiptarë në Botë.

Karrierën politike e filloi në vitin 2007, kur kandidoi për Kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, nën siglën e Partisë Demokratike. Garën e fitoi dhe u vazhdoi më tej aktivitetin si zëdhënës politik i Partisë Demokratike dhe Sekretar i Marrëdhënieve me Jashtë.

Dy vite pas këtij suksesi të parë në politikë, Gerti Bogdani vendosi të garonte në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.

Sukseset e tij ishin të pandalshme. Ishte energjia e një të riu që sapo ishte diplomuar në SHBA dhe rikthehej në vendin e tij për ta bërë atë padyshim më të mirë. Gerti Bogdani arriti të siguronte një vend në Kuvendin e Shqipërisë dhe u bë në atë kohë deputeti më i ri.

Në këtë kohë, Partia Demokratike organizon dhe zgjedhje për forumet e veta, duke bërë që Gerti të përfshihej në të dhe të zgjidhej Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, i cili më parë ishte drejtuar nga Sokol Olldashi. Pas përfundimit të mandatit të tij, drejtimin e mori Belind Këlliçi.

Gjatë kohës që ishte deputet i Partisë Demokratike, Gerti u zgjodh në vitin 2011 si zv/president i "Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë" (International Young Democrat Union - IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nën/Kryetar. Katër vite pas aderimit në këtë formacion ndërkombëtar politik, në shtator 2015, ai zgjidhet Kryetar i IYDU, duke u bërë politikani i parë shqiptar që mbante një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

Krahas angazhimit politik dhe akademik, Gerti Bogdani vazhdoi të kontribuonte në Partinë Demokratike. Në zgjedhjet e vitit 2019 për strukturat e Partisë Demokratike, 44 vjeçari arriti të siguronte një tjetër sukses të lartë personal, duke u bërë anëtari më i votuar në Kryesinë e Partisë Demokratike, pasi mori mbi 70% të votave.

Gerti shprehu dhe ambicien për të qenë kandidat i Partisë Demokratike për postin e kryebashkiakut të Tiranës dhe në vitin 2022, u përfshi në procesin e primareve mes disa kandidatëve nga radhët e forcës politike ku aderonte, por demokratët ia dhanë shumicën Belind Këlliçit.

Fatkeqësisht, studenti që shkëlqeu në botë dhe me aktivizimin e tij në politikën shqiptare, duke e ngritur lart emrin e vendit tonë në çdo organizatë ndërkombëtare ku mori pjesë, mbylli sytë përgjithmonë këtë të mërkurë duke lënë pas trishtim të madh, te familja, miqtë, kolegët dhe qytetarët e shumtë që kishte takuar në disa fushata zgjedhore.

Prehu në paqe Gert Bogdani!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese