Hapësire reklamuese

Aktualitet

Afera në Postën e Durrësit thellohet, pas zbulimit të mungesës së 3 milionë eurove doli në dritë edhe skema e dyshuar me fondet e pensioneve ( E PLOTË)

Shkruar nga Newsbomb
Afera në Postën e Durrësit thellohet, pas zbulimit të
Fotomontazh: Elisabeta Mataj

Kontrollet e brendshme të zhvilluara në filialin e Postës Shqiptare në Durrës kanë nxjerrë në pah një seri parregullsish financiare, duke çuar fillimisht në zbulimin e një dëmi ekonomik që sipas verifikimeve paraprake dyshohet se mund të arrijë deri në 3 milionë euro. Pas këtyre gjetjeve, drejtuesit e institucionit morën masa administrative, ndërsa çështja iu referua Prokurorisë për hetime të mëtejshme.

Pas gjetjeve të audituesve u shkarkua nga detyra drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj ndërkohë që pak më vonë dha dorëheqjen edhe shefja e financës, Valbona Duni, ndërsa drejtimi i filialit iu besua përkohësisht Shpresa Ismailit, e cila mbante detyrën e shefes së Burimeve Njerëzore.

Në vijim të verifikimeve, hetimi mori një tjetër drejtim. Gjatë kontrollit të dokumentacionit financiar dhe rakordimit të fondeve, u zbuluan dyshime edhe për mungesën e 69 milionë lekëve të rinj, para të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Shijakut dhe Krujës. Pikërisht kjo gjetje solli zgjerimin e hetimeve dhe angazhimin e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit.

Pas hetimeve të kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, Policia finalizoi operacionin e koduar "Filiali", duke vënë në pranga ish-drejtoreshën Elisabeta Mataj, ish-shefen e financës Valbona Duni dhe arkëtaren Paola Dana. Sipas organit të akuzës, ato dyshohen se gjatë muajve prill dhe maj 2026 kanë përvetësuar fondet që ishin planifikuar për pagesën e pensioneve dhe ndihmave sociale.

“Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.

Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit të bërë mëngjesin e kësaj të enjte, 16 korrik.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Postës Shqiptare ka rikthyer në Durrës grupin e auditit të brendshëm për një kontroll dhe më të detajuar. Audituesit do të verifikojnë të gjithë dokumentacionin financiar, rakordimin e fondeve dhe lëvizjet e kryera në filial, me synimin për të përcaktuar nëse shkeljet e konstatuara janë të kufizuara vetëm në rastet e zbuluara deri tani apo nëse skema e dyshuar është më e gjerë.

Burime pranë organit të akuzës bënë me dije më herët se kallëzimi penal i depozituar nga Posta Shqiptare i është caktuar me short prokurorit Gazmend Frëngu. Po ashtu, pritet që në të njëjtën dosje të bashkohen edhe kallëzimet e depozituara nga ish-drejtoresha Elisabeta Mataj dhe ish-shefja e financës Valbona Duni, të cilat kanë ngritur akuza ndaj njëra-tjetrës për mënyrën e administrimit të fondeve dhe dokumentacionit financiar.

“Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.

Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.

Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.

Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.

Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.

Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit”, njoftoi Posta Shqiptare më datë 14 korrik.

Kujtojmë se Elisabeta Mataj u emërua në krye të filialit të Postës në Durrës në tetor të vitit 2025, pasi zëvendësoi Etleva Budinin, e cila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Durrësit.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese