Janë plot 30 vite ndarje fizike, por për të, ai nuk është larguar kurrë. Jeton në kujtime, në vlerat që i la dhe në rrugën që ajo ka ndërtuar. Koha ka ecur, tri dekada kanë kaluar, por këtë mungesë as koha nuk e zbeh.
Bujar Kaloshi, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, ishte vetëm 40 vjeç kur udhëtimi i jetës së tij u ndërpre tragjikisht, më 26 korrik 1996. Ai u vra vetëm pak metra larg banesës së tij, duke lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e vegjël, por edhe një histori jete të shënjuar nga internimi, përballja me diktaturën dhe më pas angazhimi në vitet e para të demokracisë.
Sot, 30 vite më pas, vajza e tij, Viola Kaloshi, i rikthehet asaj dite dhe gjithë jetës së të atit përmes një shkrimi emocionues.
Është rrëfimi i një vajze për babanë që i mungon çdo ditë, por që njëkohësisht e ndien të pranishëm në çdo vlerë që i ka trashëguar. Është kujtimi për njeriun që, përpara se të ishte një emër publik, ishte dora që e udhëhiqte, mbështetja dhe modeli i saj.
Por, është edhe një kërkesë që, sipas familjes, mbetet e pandryshuar prej 30 vitesh: drejtësi.
Në përvjetorin e vrasjes së tij, Viola Kaloshi shkruan:
"Bujar Kaloshi
30 vite nga vrasja e një ideali – një jetë në shërbim të lirisë, demokracisë dhe dinjitetit njerëzor
Nga Viola Kaloshi
Më 26 korrik 1996, plumbat kriminalë nuk i morën jetën vetëm babait tim. Ata i morën jetën një të riu, vetëm 40 vjeç, rrëmbyen një bashkëshort, duke lënë pas një grua 35 vjeçe me tre fëmijë të vegjël, një prind të përkushtuar dhe një njeri që kishte zgjedhur ta vinte jetën e tij në shërbim të një ideali: ndërtimit të një Shqipërie të lirë, demokratike dhe të drejtë.
Edhe sot, pas plot tre dekadash, emri i tij vijon të jetojë jo vetëm në kujtesën e familjes sonë, por edhe në kujtesën e të gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të. Ai mbetet shembulli i një njeriu me integritet, kurajë dhe përkushtim të palëkundur ndaj vendit.
Për mua, ai ishte shumë më tepër se një figurë publike. Ishte babai im, dora që më udhëhiqte, mbështetja ime më e sigurt, mësuesi im i parë dhe modeli mbi të cilin kam ndërtuar jetën.
Mungesa e tij mbetet një dhimbje që nuk zbehet. Ka çaste kur më duket sikur 26 korriku i vitit 1996 ishte vetëm dje. Megjithatë, krahas dhimbjes, sot ndiej edhe një krenari të pamasë: krenarinë që jam bija e Bujar Kaloshit, një njeriu që jetoi dhe u flijua për ideale më të mëdha se vetja.
Nga kampi i internimit në betejën për demokraci
Jeta e babait tim pasqyron historinë e një brezi që përjetoi padrejtësinë dhe shtypjen e egër të diktaturës komuniste, por nuk iu nënshtrua kurrë asaj.
Ai lindi në vitin 1956, në kampin e internimit më famëkeq, atë të Gradishtës, në Lushnjë. Fëmijërinë e kaloi mes varfërisë, diskriminimit dhe mohimit të dijes e të lirisë, duke njohur që herët peshën e një regjimi që u privoi mijëra familjeve shqiptare të drejtën për të jetuar me dinjitet.
Por vuajtjet dhe padrejtësitë e vazhdueshme nuk e mposhtën kurrë atë dhe familjen tonë. Ai besonte se plagët e një brezi nuk duhej të bëheshin trashëgimi për brezat që do të vinin. Shqipëria, sipas tij, meritonte një të ardhme tjetër. Liria nuk ishte një dhuratë, por një përgjegjësi që duhej mbrojtur çdo ditë.
Me nisjen e ndryshimeve demokratike në vitin 1991, ai u bë pjesë aktive e këtij transformimi historik. Në Lushnjë kontribuoi në organizimin e lëvizjes demokratike dhe në ngritjen e strukturave të reja politike. Megjithatë, angazhimi i tij nuk kufizohej te politika. Si një nga themeluesit dhe aktivistët e Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, ai mbrojti me vendosmëri të drejtat, dinjitetin dhe integrimin e mijëra njerëzve që kishin vuajtur padrejtësisht nën thundrën e diktaturës komuniste.
Një njeri që besonte te shteti dhe drejtësia
Për babanë tim, demokracia nuk ishte thjesht rotacion politik. Ajo ishte respekt për lirinë dhe të drejtat e njeriut, përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe sundimit të ligjit.
Në çdo detyrë që ushtroi, nga Policia Financiare deri në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ai u përpoq të ndërtonte institucione më të forta, më të ndershme, më profesionale dhe më të përgjegjshme. Luftoi pa kompromis kundër korrupsionit, abuzimit dhe padrejtësisë, sepse besonte se shteti nuk mund të mbështetet mbi privilegje, por mbi barazinë e çdo qytetari përpara ligjit.
Shpesh thoshte se njeriu duhet të jetë i gatshëm të sakrifikojë për vendin e tij, nëse kjo u shërben brezave që do të vijnë. Këtë bindje nuk e la vetëm në fjalë; e vulosi me jetën e tij.
Trashëgimia më e madhe: vlerat që na la
Edhe pse familja jonë kaloi shumë sprova, unë dhe motra ime trashëguam prej tij pasurinë më të çmuar: sistemin e vlerave. Ai na mësoi ndershmërinë, dashurinë për dijen, respektin për njeriun, përkushtimin ndaj punës dhe ndjenjën e përgjegjësisë.
Bashkë me nënën tonë, megjithëse kishin kaluar një kalvar vuajtjesh, bënë gjithçka që ne të rriteshim me dinjitet dhe të kishim mundësinë për një jetë më të mirë.
Sa herë takoj njerëz që më flasin për të, shoh në sytë e tyre respekt dhe mirënjohje. Pikërisht atëherë kuptoj se kjo është trashëgimia më e madhe që na la: një emër i fituar me karakter, ndershmëri dhe shërbim ndaj të tjerëve.
Për mua dhe për shumë njerëz që e deshën, Bujar Kaloshi do të mbetet një emër që nuk harrohet, një shembull që vazhdon të më frymëzojë dhe një vepër që i reziston kohës.
Tridhjetë vite pa përgjigje, por me të njëjtën kërkesë: drejtësi
Vrasja e babait tim mbetet një plagë e hapur për mua, motrën time dhe gjithë familjen tonë.
Edhe pas tridhjetë vitesh, drejtësia ende nuk ka folur. Autorët e këtij krimi nuk janë vënë përballë përgjegjësisë, ndërsa pyetjet tona vazhdojnë të mbeten pa përgjigje. Kërkesa jonë është po ajo e ditës së parë: drejtësi. Jo vetëm për kujtimin e babait tim, por për çdo njeri që sakrifikoi jetën në emër të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Babai im jeton përmes idealit të tij. Ndaj, sot nuk dua ta kujtoj vetëm për mënyrën tragjike se si u nda nga jeta, por për mënyrën se si jetoi: si një baba të jashtëzakonshëm dhe një njeri të ndershëm; si një luftëtar të demokracisë dhe patriot që e deshi Shqipërinë me gjithë shpirt dhe punoi pa u kursyer për ta bërë atë më të mirë.
Babi im, ti nuk je më fizikisht mes nesh, por je i pranishëm në çdo vlerë që na ke lënë, në çdo hap që hedhim dhe në çdo përpjekje për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë.
Edhe pas tridhjetë vitesh, zëri yt vazhdon të dëgjohet. Pena ime për ty nuk do të ndalet, derisa drejtësia e munguar të vihet në vend".
