Hapësire reklamuese

Aktualitet

"Vrasje e paralajmëruar", vëllai i Kosta Plakut jep detaje tronditëse: Para krimit, Refit Buzi i kërcënoi për 40 ditë me radhë! Institucionet nuk morën masa

Shkruar nga Newsbomb
"Vrasje e paralajmëruar", vëllai i Kosta Plakut jep detaje
Refik Buzi, autori i ngjarjes

Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë në Roskovec, ku Kosta dhe Belere Plaku u qëlluan me armë zjarri nga ish-dhëndri i tyre, Refit Buzi. Vëllai i Kosta Plakut, në një intervistë për Euronews Albania, tha se mbesa e tij e kishte denoncuar më herët Buzin dhe kishte siguruar një urdhër mbrojtjeje ndaj tij.

Ai zbuloi se ish-dhëndri kishte dërguar mesazhe kërcënuese ndaj familjarëve të vëllait të tij për 40 ditë me radhë.

"Është një histori e gjatë, të paktën prej më shumë se një viti. Mbesa e kishte denoncuar në Tiranë, sepse i dilte përpara dhe i zinte rrugën. Ajo mori urdhër mbrojtjeje, i cili është ende në fuqi deri në dhjetor. Ne u përpoqëm ta zgjidhnim me mirëkuptim, me shpresën se nuk do të kishte më probleme, por sapo doli, për rreth 40 ditë dërgonte çdo ditë mesazhe kërcënuese në forma të ndryshme", u shpreh ai.

Më tej, xhaxhai i Rozalindës tregoi se vajza dhe vëllai i tij e kishin denoncuar Refit Buzin, i cili fillimisht u arrestua. Sipas tij, pas lirimit, 35-vjeçari rifilloi menjëherë kërcënimet.

"Mbesa, bashkë me vëllanë tim, bënë denoncim. Policia e ndaloi, Prokuroria kërkoi masën e ndalimit, por Gjykata e la në arrest shtëpie. Ditën që doli, pa kaluar as një ose dy orë, kërcënimet vazhduan. I thashë inspektorit se ai po lëvizte lirshëm. Më tha: Mbani kërcënimet dhe bëni ndonjë foto. I thashë se nuk jam fotoreporter, por hajdeni se do ta kapni dhe ta merrni. Më tha se nuk lejohej", rrëfeu ai.

Në vijim, vëllai i viktimës shprehu zhgënjimin ndaj institucioneve, duke theksuar se, sipas tij, tragjedia mund të ishte parandaluar.

"Ajo që kërkoj unë nuk kthehet më, por institucionet janë të buta, fasadë. Kishte mbi 40 ditë kërcënime dhe përsëri e nxorën. Kur një person është përsëritës, masat duhet të ashpërsohen, jo ta lëshosh. Kjo tragjedi nuk erdhi vetëm nga veprimet e një njeriu, por edhe nga dështimi për të zbatuar ligjin. Nëse shoqëria nuk reagon dhe ligjet nuk zbatohen, raste të tilla do të përsëriten", tha ai.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese