Janë vënë në pranga së fundmi nga Policia e Durrësit dy qytetarë të cilët tentuan të grabisnin qytetarët nën presionin e ushtruar me dhunë fizike dhe me armë zjarri.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë vënë në pranga shtetasit 21-vjeçari Marvin Ferra nga Mafsheqi i Krujës, dhe taksisti 51-vjeçar Rezi Kruta nga Tirana.
Kanë qenë efektivë të Komisariatit të Durrësit ata që kanë vënë në pranga dy autorët të cilët “tmerruan” qytetarët në tentativë për t’i grabitur.
Mësohet se më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, Marvin Ferra i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.
Raportohet se pavarësisht tentativës për t’u arratisur, ai brenda pak minutash është vënë në pranga nga blutë.
Ndërsa rasti i dytë ka të bëjë me taksistin Rezi Kruta i cili në bashkëpunim me një taksist tjetër i cili është arrestuar ditën e djeshme, kanë tentuar të grabisin klientët e tyre në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
51-vjeçari është vënë në pranga ditën e sotme. Ndërsa bëhet me dije se gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Durrës/Vijojnë veprimet e thelluara hetimore dhe operacionale për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve me dhunë e me armë të ndodhura më parë, si dhe për kapjen dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve.
Gjatë 24 orëve të fundit, nga DVP Durrës u finalizuan dy operacione policore të koduara “Rada” dhe “Bashkëpunëtori”.
Identifikohen dhe vihen në pranga dy shtetas.
Sekuestrohen dy armë zjarri.
Në vijim të punës së pandërprerë për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë nën kërcënimin e armës, strukturat hetimore të DVP Durrës kanë bërë të mundur që, brenda 24 orëve të fundit, të finalizojnë dy operacione policore për zbardhjen e këtyre vjedhjeve, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në to.
1-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Rada”, nga shërbimet operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit M. F., 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq, Krujë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi, më datë 19.06.2026, rreth orës 02:30, ky shtetas, i maskuar dhe me armë zjarri automatike, ka hyrë për të vjedhur në oborrin e banesës së shtetases M. K., në fshatin Radë.
Gjatë operacionit, në zonën e Krujës, 21-vjeçari ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, dy armë zjarri.
2-Ndërkohë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bashkëpunëtori”, të zhvilluar dhe finalizuar nga shërbimet e DVP Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit R. K., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin T. M. (i arrestuar dje në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Taksimetri”), në dy raste ka vjedhur me dhunë, në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit, dy shtetas që i transportonte me automjetin e tij taksi.
Nga veprimet e thelluara hetimore dhe analizimi i pamjeve filmike është bërë i mundur dokumentimi ligjor i ngjarjeve, ku shtetasi R. K. shërbente si transportues i shtetasit T. M., i cili vidhte me dhunë taksistë të tjerë në qytete të ndryshme, si Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Gjatë kontrollit të banesës dhe garazhit të shtetasit të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që e lidhin me këto ngjarje.
Materialet për ngjarjet e mësipërme iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
