Hapësire reklamuese

Aktualitet

“E papranueshme që dikush të pronësojë dallgën dhe rërën”, Aleksandër Çipa: Kjo që shohim sot nuk duhet injoruar

Shkruar nga Newsbomb
“E papranueshme që dikush të pronësojë dallgën
Aleksandër Çipa

Analisti Aleksandër Çipa, i ftuar në emisionin “Review”, e ka cilësuar ngjarjen e fundit në Zvërnec si një moment që ka nxitur reagim të fortë publik dhe ka ekspozuar kontradiktat mes shtetit dhe qytetarit.

Çipa e përshkroi si goditje të rëndë për imazhin e shtetit pamjen e një qytetari të tërhequr zvarrë nga persona të maskuar në prezencë të policisë. Sipas tij, kjo ngjarje ka tejkaluar debatin e pronësisë së tokës dhe është shndërruar në një çështje më të gjerë.

Ajo që po ndodh në këto 20 ditët e fundit, në këndvështrimin tim, ka të bëjë me realitetin e dikotomive politike. Cilat janë dikotomitë politike? Mendoj që inkandeshenca e reagimit publik startoi në momentin kur kryesisht rrjetet sociale, dhanë dhe përcollën në mënyrën më reaktive imazhet e futjes së gardhit dhe të telit me gjemba në det, në qytetin e Vlorës, pra në Zvërnec.

E dyta, imazhi i tërheqjes zvarrë të një qytetari që të paktën kishte klithmën e të pretenduarit të marrjes së pronës së tij nga dy maska të zeza në prezencë të Policisë së Shtetit. Por këto nuk janë të vogla, se aty verifikon diferencën që ka shteti me individin e pambrojtur. Dhe mendoj që ajo ka qenë goditja më fataliste e autoritetit dhe imazhit të shtetit në marrëdhënie me qytetarin e lirë”, tha Çipa.

Ai shtoi se hapësirat mes detit dhe tokës kanë qenë gjithmonë pasuri të përbashkëta dhe se fakti që sot flitet për pronësime të tilla është “afera më e madhe e postkomunizmit në Shqipëri”. Çipa e përshkroi si të papranueshme idenë që dikush mund të “pronësojë dallgën dhe rërën” duke vendosur tela me gjemba në det. 

Në momentin që ndodhi ajo, u shpërnda lajmi që paska shqiptarë latifondistë me 200 hektarë, me 400 hektarë apo ndoshta dhe me 4000 hektarë. Shiko, po shqiptarët e njohin territorin e tyre amëtar se kanë lindur në gjenerata dhe breza të tërë njerëzorë, por kjo nuk është thjesht me imazhin që ‘pse’, por doli ajo që quhet afera më e madhe e postkomunizmit në Shqipëri: afera e pronësimit të atdheut. Jo të atdheut, e natyrës.”, vijoi ai.

Ai paralajmëroi se nuk duhet injoruar ky moment, sepse ka vendosur në qendër çështje të tjera më të thella për shoqërinë shqiptare. 

Unë jam nga vija bregdetare në origjinën time familjare, dhe që kur është krijuar në zanafillën kozmogonike, hapësira midis dallgës së detit dhe territorit që përshkron shkuma e dallgës , që është rëra, nuk kanë qenë të pronësuara. Që në zanafillë! Befas, në 2026-n doli që paska shqiptarë të cilët pronësojnë dhe dallgën, dhe rërën, dhe futin telin me gjemba në syprinën e kaltër të detit.

Kjo e ndezi gjithë këtë që po shikojmë sot dhe ne nuk duhet ta injorojmë. Janë vendosur çështje të tjera”, tha Çipa.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese