Një delegacion i eurodeputetëve të grupit të Të Gjelbërve/EFA në Parlamentin Europian pritet që të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri nga 29 qershori deri më 1 korrik, me fokus situatën në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë dhe shqetësimet e ngritura nga qytetarët për projektet që prekin mjedisin.
Vizita vjen pak ditë pasi Parlamenti Europian miratoi raportin e tij për Shqipërinë, në të cilin, krahas vlerësimit të progresit në procesin e integrimit europian, u theksua nevoja për forcimin e mbrojtjes së mjedisit, rritjen e transparencës, respektimin e sundimit të ligjit dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit.
Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Tineke Strik, deklaroi se rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian duhet të ecë paralelisht me respektimin e standardeve mjedisore dhe mbrojtjen e zonave natyrore me rëndësi të veçantë.
Sipas eurodeputetes holandeze Strik, raporti përfshin një thirrje të qartë drejtuar autoriteteve shqiptare për të ndaluar ndërhyrjet e reja në zonat e mbrojtura deri në harmonizimin e plotë të legjislacionit vendas me standardet europiane për mjedisin.
Ajo iu referua gjithashtu protestave të zhvilluara kundër projekteve që prekin zonën e Vjosë-Nartës, duke vlerësuar angazhimin e qytetarëve në mbrojtje të natyrës dhe duke theksuar se zëri i tyre përfaqëson një mesazh të rëndësishëm për të ardhmen europiane të Shqipërisë.
Gjatë qëndrimit në vend, delegacioni pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve, organizata mjedisore dhe banorë të zonave të prekura, për të vlerësuar nga afër situatën dhe sfidat që lidhen me ruajtjen e ekosistemeve të mbrojtura.
