Analisti Ben Andoni, i ftuar në emisionin “3D”në RTSH, tha se protesta e fundit ka bazën e saj tek rreth 40 shoqata mjedisore, të cilat prej kohësh kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Ai theksoi se puna e tyre ka nisur shumë më herët se shpërthimi i protestës, duke u përqendruar tek rreziku nga lejet e ndërtimit dhe mungesa e zbatimit të ligjit.
Andoni kujtoi se rezolutat e Parlamentit Evropian nuk kanë fuqi detyruese ligjore për vendet që janë ende në proces negocimi për anëtarësim në BE, por shërbejnë si dokumente orientuese në kapitujt e negociatave.
“Në asnjë instancë qoftë në parlamentet lokale apo në Parlamentin Europian, rezolutat nuk kanë fuqi detyruese, por shërbejnë si dokumente kryesore kur vendi përballet me kapitujt e negociatave,” tha ai.
Duke iu referuar sfidave të integrimit, Andoni rikujtoi se kryeministri Rama e ka pranuar se kapitulli më i vështirë është ai për mjedisin.
“Kryeministri Rama e ka thënë prej kohësh se kapitulli më i vështirë është ai për mjedisin, dhe kjo është shumë e vërtetë,” u shpreh ai, duke shtuar se qeveria duhet të japë përgjigje brenda këtij viti për çështjen e zonave të mbrojtura.
Sipas tij, përveç protestave, mbeten prioritare edhe lejet e ndërtimit të premtuara.
“Në këtë kontekst mendoj se qeveria shqiptare po luan shumë duke e sfumuar. Në fakt rezoluta duhet të ishte parë me sy të ftohtë,” vijoi Andoni.
Ai shtoi se Shqipëria ka jo vetëm ligjin për zonat e mbrojtura, por edhe detyrime ndërkombëtare për respektimin e konventave ku është palë. “Kjo e bën çështjen e mjedisit një nga sfidat më të mëdha të vendit në procesin e integrimit evropian,” përfundoi Andoni.
